Ukraina dëshiron të antarësohet në NATO

  • 05 qershor 2019 - 11:35
Ukraina dëshiron të antarësohet në NATO

Presidenti i Ukrainës, Volodimir Zelenskiy, ka thënë se është i gatshëm të negociojë me Rusinë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainën lindore, por ai gjithashtu ripohoi rrugën e vendit të tij drejt anëtarësimit në NATO.

Anëtarësimi i Ukrainës në NATO kundërshtohet fuqishëm nga Moska.

Zelenskiy i bëri komentet gjatë një vizite në Bruksel, ku u takua me zyrtarë të lartë të Bashkimit Evropian dhe NATO-s, si pjesë e udhëtimit të tij të parë të huaj si president.

Lufta midis forcave qeveritare dhe separatistëve të mbështetur nga Rusia në Ukrainën lindore ka vrarë rreth 13,000 njerëz që nga prilli i vitit 2014, pak pasi Rusia mori kontrollin e gadishullit të Krimesë në Ukrainë.

Marrëveshjet e armpushimit të shpallura si pjesë e marrëveshjeve të Minskut në shtator të vitit 2014 dhe shkurt 2015 kanë kontribuar në një rënie në luftimet në provincat lindore të Donetskut dhe Luhansk.

“Ne jemi të gatshëm të mbajmë negociata me Rusinë dhe të zbatojmë marrëveshjet e Minskut. Por së pari duhet të jemi të aftë të mbrojmë veten dhe të bëhemi më të fortë ekonomikisht, politikisht dhe ushtarakisht”, tha Zelenskiy në një konferencë të përbashkët shtypi me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në selinë e aleancës.

Zelenskiy gjithashtu tha se “kursi strategjik i Ukrainës për të arritur anëtarësim të plotë në BE dhe NATO” mbeti i pandryshuar.

Moska e ka bërë të qartë kundërshtimin e saj ndaj zgjerimit të mëtejshëm të NATO-s, veçanërisht sa i përket Ukrainës dhe Gjeorgjisë.

Duke e quajtur Ukrainën një “partner shumë të vlefshëm”, Stoltenberg shprehu mbështetjen e NATO-s për sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit.

Shefi i NATO-s gjithashtu i bëri thirrje Ukrainës të zbatojë reformat në luftën kundër korrupsionit dhe forcimin e sundimit të ligjit.

Një aktor komedian pa përvojë politike, Zelenskiy u përurua si president më 20 maj, pasi mposhti me një diferencë të madhe Petro Poroshenkon. Përveç konfliktit në lindje dhe okupimit rus të Krimesë, Ukraina përballet me korrupsionin në shkallë të gjërë dhe ngecje të mëdha ekonomike.

(Kosova Sot Online)