Prokuroria e Shtetit për 24 orë ngre 54 aktakuza

  • 05 June 2019 - 14:24
Prokuroria e Shtetit për 24 orë ngre 54 aktakuza

Prokurori i Shtetit përmes njoftimit për media tregon se gjatë 48 orëve të fundit nga prokuroritë themelore janë ngritur pesëdhjetekatër (54) aktakuza kundër pesëdhjetegjashtë (56) personave për vepra të ndryshme penale, si dhe, ka ndaluar tetë (8) persona ku për tre (3) prej tyreve është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit.

Prokurori i Shtetit në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë ndërmarrë një operacion kontrolli në disa barnatore në rajonin e Prizrenit, me dyshimin për medikamente të kontrabanduara dhe pa banderola.

Gjatë kontrollit janë gjetur sasi të konsiderueshme të medikamenteve pa banderola dhe me banderola të vendeve të rajonit si Serbia, Maqedonia dhe Shqipëria.

Me këtë rast, janë sekuestruar 688 pako me medikamente të llojeve të ndryshme, transmeton Express.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), gjatë 48 orëve të fundit ka ndaluar një person për veprën penale “Vrasje e rëndë”.

Po ashtu, kjo prokurori ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Z.Dj., nga Peja, me vendbanim aktual në Beograd, për veprat penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë” të nenit 3 të përbashkët të konventave të Gjenevës, që ndiqet sipas nenit 152 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës, dhe nenit 142 të Kodit Penal të RSFJ-së, “Krimet e Luftës në shkelje të rëndë të ligjeve dhe zakoneve që zbatohen në konfliktet e armatosura që nuk janë të karakterit ndërkombëtar” që ndiqen sipas nenit 153 paragrafi 1 nënparagrafi 2.1, 2.2, 2.5, 2.8, 2.13, dhe 2.15, dhe nenit 3 të KPK-së.

Gjatë 48 orëve të fundit, Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka ndaluar dy (2) persona për vepra të ndryshme penale, si dhe, ka ushtruar një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj një (1) personi. Po ashtu, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur 16 aktakuza kundër 17 personave.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar në Prokurorinë Themelore në Prizren – Departamenti i Përgjithshëm, janë ndaluar për 48 orë dy persona, nën dyshimin se kanë kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Ndaj të njëjtëve është bërë kërkesë për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.

Në Prokurorinë Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, janë ngritur dy (2) aktakuza kundër tre (3) personave për këto vepra penale: “Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve” dhe “Mundësimi ose detyrimi në prostitucion” sipas KPRK-së.

Prokuroria Themelore në Prizren në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, kanë ndërmarrë një operacion kontrolli në disa barnatore në rajonin e Prizrenit, me dyshimin për medikamente të kontrabanduara dhe pa banderola. Me këtë rast, janë sekuestruar 688 pako me medikamente të llojeve të ndryshme.

Në Prokurorinë Themelore të Pejës, gjatë  48 orëve të fundit është ndaluar një i mitur, për shkak të veprës penale “Vrasje e mbetur në tentativë”. Po ashtu, kjo prokurori gjatë 48 orëve ka ngritur 25 aktakuza kundër 25 personave për vepra të ndryshme penale.

Departamenti Përgjithshëm i Prokurorisë Themelore të Gjilanit, ka ngritur 1 (një) aktakuzë, kundër 1 (një) personi, për shkak të veprës penale ‘’Dhunë në familje’’.

Prokuroria Themelore në Gjakovë njofton opinionin se për 48 orët e fundit ka ndaluar një person për 48 orë, për veprën penale” dhunë në familje”, është bërë një kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj M.A.,  për veprën penale “ rrezikim i trafikut publik” gjithashtu ka ngritur një aktakuzë kundër L. Xh., për veprat penale” Kanosje” dhe “ Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë gjatë 48 orëve të fundit ka ngritur 5 aktakuza kundër 5 personave. Po ashtu, Prokuroria Themelore e Mitrovicës ka bërë një kërkesë për sekuestrim.

Prokuroria Themelore në Ferizaj, gjatë 48 orëve të fundit me urdhër të prokurorit ka ndaluar një person për shkak të dyshimit se e ka kryer veprën penale “Dhunë në familje, Kanosje dhe Armëmbajtje pa leje”, ku ndaj të njëjtit ka bërë kërkesë për caktimin e  paraburgimit. Po ashtu, kjo prokurori ka ngritur tri (3) aktakuza kundër tre (3) personave të ndryshëm për vepra të ndryshme penale.

(Kosova Sot Online)