Këshilli Kombëtar i Zvicrës vendos pro marrëveshjes për t’iu kthyer pensionet kosovarëve

  • 05 June 2019 - 17:30
Këshilli Kombëtar i Zvicrës vendos pro marrëveshjes për t’iu kthyer pensionet kosovarëve

Për rreth 200 mijë kosovarë në Zvicër dhe për dhjetëra qindra të cilët janë kthyer në Kosovë, sot është një ditë e mirë. Këshilli Kombëtar ka vendosur që pagesat (pensionet) e Sigurimit të pleqërisë dhe trashëgimtarëve (AHV) dhe të sigurimit të invaliditetit (IV), t’iu kthehen kosovarëve pas dhjetë vitesh ndërprerje. Ky vendim është marrë sot, më 110 vota pro, 58 kundër dhe dy abstenime.

Në Këshillin Kombëtar nuk është miratuar ndërkohë kërkesa e djathtistëve konservator të SVP-së për referendum. SVP gjithashtu në mbledhje është deklaruar kundër kalimit të marrëveshjes.

E pas këtij votimi, çështja kthehet përsëri tek Këshilli i Shteteve i cili kohë më parë i kishte dhënë dritën e gjelbër miratimit të marrëveshjes.

Megjithatë ndryshe nga Këshilli Kombëtar, Këshilli i Shteteve dëshiron që një marrëveshje të tillë ta vendos në referendum.

Sipas gjithë këtyre zhvillimeve, pritet që marrëveshja të hyjë në fuqi vitin e ardhshëm, sipas Blick, 1 janari i vitit 2020 mund të jetë data kur mund të fillojë implementimi.

Kosova është vendi i vetëm i ish-Jugollsavisë që nuk merr aktualisht pensionet e AHV dhe IV. Shteti zviceran ka ndërprerë marrëveshjen ekzistuese me Kosovën në vitin 2010, pasi që hetuesit të cilët po hetonin rastet e mashtrimeve me pensione ishin kërcënuar me vdekje.

Një ndërprerje e tillë për kosovarët ka pasur pasoja të mëdha financiare. Çdokush që ka dalë në pension pas vitit 2010, i është dashur të vendos: Qëndron në Zvicër dhe merr pensionin, apo kthehet në shtëpi dhe nuk merr asnjë qindarkë( edhe pse ka paguar kontributet te sigurimeve shoqërore dhe ka të drejtë të marrë pension).

Marrëveshja gjithashtu është plotësuar me një klauzolë përmes të cilës Zvicra dhe Kosova ndërmarrin hapa për të luftuar abuzimin dhe mashtrimin.

Debati para votimit në Këshillin Kombëtar ka qenë i nxehtë, pasi parti djathtiste kanë qenë kundër marrëveshjes, ndërkohë shumica tjetër kanë thënë se një marrëveshje e tillë duhet miratuar, pasi që kosovarët kanë kontribuar jashtëzakonisht në zhvillimin e Zvicrës.

(Kosova Sot Online)