Arrestohen dy persona për veprën penale “Rrëmbim”, konfiskohet një AK47

  • 05 June 2019 - 19:11
Arrestohen dy persona për veprën penale “Rrëmbim”, konfiskohet një AK47

 

Rajonale e Policisë në Pejë ka pranuar një informatë me dyshimin se dy persona kanë kryer veprën penale “Rrëmbim” ndaj një personi dhe të njejtin dyshohej se e mbanin të fshehur në fshatin Staradran të Istogut. Inicialet e të dyshuarve janë G.M 34 vjeç dhe A.M 42 vjeç, që të dy meshkuj.

“Sektori rajonal i hetimeve pranë Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, të asistuar nga njësia për reagim të shpejtë, njësitë patrulluese të stacionit policor Pejë dhe Istog, në koordinim të plotë me prokurorinë e shtetit dhe gjykatën themelore në Pejë, kanë kryer kontroll-bastisje në disa lokacione. Pas një pune operativo-hetimore rreth orës 16:00, është arritur të identifikohen dhe arrestohen 2 (dy) persona të dyshuar:

• G.M lindur me 1985 m/k/sh

• A.M lindur me 1977 m/k/sh

Tek të dyshuarit gjatë bastisjes është gjetur dhe konfiskuar një armë ‘AK47’, 104 copë fishek, një llap top, disa telefona celularë, kartela të bankës, kartela të telefonit, CD, fletore për mbajtjen e shënimeve, dokumente të veturës, dhe një automjet, të gjitha këto i përkisnin të dyshuarve”, thuhet në njoftimin për media.

Gjithashtu është arritur të gjendet edhe viktima e rastit i cili nga të dyshuarit është mbajtur i mbyllur dhe i lidhur në stallë të bagëtive (ahur).

Viktima dyshohet se është rrëmbyer dhe mbajtur i mbyllur nga të dyshuarit për arsye të një borgji të cilin viktima ju kishte të dyshuarve.

Të gjitha veprimet policore janë koordinuar me prokurorin e shtetit dhe gjykatën themelore në Pejë, dhe më urdhër të prokurorit të shtetit të dyshuarit dërgohet në mbajtje për 48 orë, për të vazhduar me procedura të mëtejme ligjore.

(Kosova Sot Online)