Alarmon ish agjenti i SHIK-ut: Shërbimi sekret serb ka qasje në informacionet sekrete të Kosovës!

  • 05 June 2019 - 20:03
Alarmon ish agjenti i SHIK-ut: Shërbimi sekret serb ka qasje në informacionet sekrete të Kosovës!

“Nëse nuk i shkon për shtati Beogradit, gjendja që do të krijohet në veriun e Kosovës viktimat e ardhshme janë të garantuara”, tha Naim Miftari për Kosova Sot Online”

Njohës të fushës së sigurisë në vend po vazhdojnë ta shohin me shqetësim të madh ndikimin e fuqishëm të shërbimeve sekrete serbë në rrjedhat e brendshme të shtetit të Kosovës, përmes infiltrimit të rrjetit të tyre të spiunazhit- UDB-së, në të gjitha nivelet e institucioneve, nga ai lokal me deri në atë qendror. Ilustrimi i kësaj gjendje shpjegohet më së miri me njoftimet paraprake për të gjitha veprimet që planifikohet të ndërmerren nga institucionet e vendit në fusha të ndryshme me peshë, madje edhe për aksionet sekrete. Kështu kishin informuar shërbimet sekrete serbë edhe për aksionin e policisë kur u vra Enver Zymberi, por njësoj u vepruar edhe me aksionin e fundit, para dy javësh, në emër të luftimit të krimit dhe kontrabandës në veri, për të cilin ishte i lajmëruar Beogradi zyrtar prandaj mediet serbe veç patën filluar të raportojnë se diçka e tillë po përgatitet në ana e Prishtinës. Sipas njohësit të fushës së sigurisë, Naim Miftarit, nëse në pjesën veriore nuk arrihet ndonjë kompromis me të cilin do të kënaqet Serbia, atëherë në të ardhmen ka rrezik serioz që të ndodhin edhe skenarë të tjera, sikurse atëherë kur u vra Enver Zymberi, me qëllimin e vetëm për t`u realizuar plani Thaçi- Vuçiq për ndarjen e Kosovës.

“Nuk është aspak sekret se shërbimi sekret serb BIA (UDB) ka edhe sot qasje në informacione sekrete, sa i përket Kosovës, pasi shtrirja e agjentëve serb janë kultivuar me dekada. Mos të harrojmë se vetëm në Kosovë para luftës në duar të UDB-së, për dy dekadat e fundit kishin kaluar mbi 700.000 persona shqiptar që ishin arrestuar, maltretuar ose ishin marr në të ashtuquajturat biseda informative të UDB-së ku kjo e fundit qysh në atë kohë dispononte kishte mbi 8.000 mijë informator të profileve të ndryshme që nga akademikët,shkrimtarët, politikanët shqiptar e deri te informatorët e profileve tjera më të ulëta”, tha Miftari Për “Kosova Sot Online”.

Sipas Miftarit, UDB-ja me kohë prezencë të pa kontestueshme edhe në KFOR, sidomos te Francezët, pastaj në OSBE,UNMIK dhe EULEX kështu që ka arritur ti siguron të gjitha burimet e informimit për gjithçka që planifikohet të veprohet nga institucionet e Kosovës. “Prandaj BIA sot i din dhe informohet për aksionet e policisë kosovare më mirë se sa vetë ne qytetarët dhe disa institucione tjera të Kosovës. Kjo është kështu për fat të keq sepse edhe AKI-ja e jonë është e mbushur me familjar të ish UDBASH-ve shqiptar, është plot me dajë,nipa e dashnore të politikanëve tonë të korruptuar që në AKI mbrojnë interesin e klaneve politike, mbrojnë interesin e politikanëve të korruptuar por jo të shtetit tonë”, theksoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

Po ashtu, ai ka thënë se tani shumë lehtë që shërbimi serb ta ketë ndikimin dhe ti ketë dhe para të gjithëve informatat e sakta për planet e shtetit të Kosovës. “Prandaj Beogradi shumë lehtë e kontrollon Veriun e Kosovës edhe sot, qe plot 20 vite pas luftë, dhe kjo tregon turpìn tonë, jo seriozitetin dhe patriotizmin e rrejshëm ndaj shtetit tonë, kjo tregon se interesi material dhe politik personal i disa liderëve politik është më i madh se sa interesi nacional i shtetit dhe popullit tonë. Nëse nuk i shkon për shtati Beogradit gjendja që do të krijohet në veriun e Kosovës viktimat e ardhshme janë të garantuara”, tha Naim Miftari për "Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online).