Edhe Kurti në udhëtim: Organizon tubime në dy qytete të Gjermanisë

  • 05 June 2019 - 20:20
Edhe Kurti në udhëtim: Organizon tubime në dy qytete të Gjermanisë

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, po qëndron në Berlin të Gjermanisë, ndërsa ditëve në vijim planifikon të mbajë tubime me shqiptarët në Gjermani.

VV ka paralajmëruar se të premten dhe të shtunën kreu i saj mban tubime në Berlin dhe në Hamburg.

“Me 7 dhe 8 qershor, Lëvizja VETËVENDOSJE! organizon tubime me bashkatdhetarë në Gjermani në qytetin e Berlinit dhe Hamburgut. Në këto tubime marrin pjesë Kryetari i Lëvizjes, Albin Kurti dhe Nënkryetari, Besnik Bislimi”, thuhet në njoftimin e partisë së Kurtit në Facebook.

Kurti edhe dje ka zhvilluar takime në kryeqytetin gjerman me zyrtarë të atjeshëm.

“Në Berlin sot takova z.Matthias Lüttenberg, Këshilltarin e Kancelares Merkel, dhe zëvendësin e tij, Alexander Jung. Isha bashkë me nënkryetarin e VETËVENDOSJE!-s, Besnik Bislimin, Mevlyde Hysenin dhe Xhavit Drenorin”, ka shkruar Kurti gjatë së martës.

(Kosova Sot Online)