Haliti kundër Thaçit: Për bashkim kombëtar duhet qëndrim i përbashkët, jo nga një individ

  • 05 June 2019 - 21:47
Haliti kundër Thaçit: Për bashkim kombëtar duhet qëndrim i përbashkët, jo nga një individ

Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka thënë se Kosova nuk do të shpëtojë lehtë nga Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

Duke folur për deklaratat e fundit të presidentit Hashim Thaçi për bashkim kombëtar dhe raportimet për shkëmbime territoresh me Serbinë, Haliti ka thënë në Rubikon të KTV-së se vendit i duhet një qëndrim i përbashkët, dhe jo që ato të bëhen nga një individ.

“Mendoj që duhet të bëjmë politikë shtetërore e ajo duhet bërë nga të gjithë e jo nga një individ. Qëndrimi zyrtar i shtetit duhet të dihet. Duhet ta dijë edhe qytetari. Nëse bisedon fshehurazi dhe nënshkruan diçka nesër ajo do të dalë e kuptohet që fati yt do të jetë i keq, fati historik i yti. Por pasojat do të jenë tejet të rënda për vendin”, ka thënë ai duke marrë shembull marrëveshjen për Asociacionin.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka dhënë qëndrimin e vendit në raport me këtë Asociacion, “por ne kemi vënë firmë bashkë me BE-në e Serbinë”. Ai ka thënë se asociacioni “mund të vijë sikur e keqja më e vogël për vendin”.

“S’besoj se Kosova do të shpëtojë lehtë pasi që ka vënë firmën. Mund ta shtyjmë, por ndoshta është edhe një lojë që bëhet me idetë e mëdha për të thënë hajt se po e bëjmë asociacionin se është e keqja më e vogël. Kjo mund të jetë në kokën e njerëzve të protagonistëve kryesorë”, ka shtuar Haliti.

(Kosova Sot Online)