Haradinaj tregon detaje nga takimi i parë në Berlin

  • 06 June 2019 - 10:27
Haradinaj tregon detaje nga takimi i parë në Berlin

Kryeministri i Kosoëvs, Ramush Haradinaj pas takimit të parë që pati në Berlin ka bërë të ditur se është diskutuar për dialogun Kosovë-Serbi e për një marrëveshje gjithëpërfshirëse në kufijtë ekzistues.

“Gjatë vizitës zyrtare në Berlin, pata një mëngjes pune me anëtarët e Grupit Parlamentar për Europën Juglindore të Bundestagut, Josip Juratovic, Nezahat Baradari nga SPD dhe Friedrich Ostendorff, Die Grünen. Me deputetët gjermanë biseduam për zhvillimet e gjithmbarshme në vend dhe rajon, për bashkëpunimin e ngushtë Kosovë-Gjermani dhe procesin e dialogut me Serbinë. Kam shprehur qendrimin se Kosova është pro dialogut për arritjen e një Marrëveshjeje Gjithëpërfshirëse që rezulton me njohje në kufijtë ekzistues”, ka shkruar Haradinaj përmes rrjetit social Facebook.

Tutje, ai ka bërë të ditur se kanë diskutuar edhe për vizat dhe qëndrimin e Gjermanisë karshi këtij procesi.

“Ritheksova se qytetarët e Kosovës, janë të vetmit në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk gëzojnë lëvizje të lirë për shkak të regjimit të vizave dhe me të drejtë presin që Gjermania t’i japë këtij procesi epilog pozitiv. Roli i shtetit gjerman ka qenë dhe mbetet i fuqishëm për konsolidimin e brendshëm e të jashtëm të shtetit tonë dhe aktualisht jemi në pikën kulmore të marrëdhënieve bilaterale me Gjermaninë!”, ka shkruar kryeministri.

Ndryshe, sot gjatë ditës i pari i Qeverisë do të takohet edhe me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Image

 

(Kosova Sot Online)