Për borxh e mbajtën të mbyllur në ahur, policia kap rrëmbyesit e arrestojnë edhe viktimën

  • 06 June 2019 - 14:44
Për borxh e mbajtën të mbyllur në ahur, policia kap rrëmbyesit e arrestojnë edhe viktimën

Dy persona kanë mbajtur të mbyllur një tjetër në një ahur (stallë e bagëtive), në fshatin Staradran të Istogut. Rrëmbimi ka ndodhur për shkak të borxhit që viktima ua kishte marrë të dyshuarve. Media mëson se bëhet fjalë për pesë mijë euro.

Dy persona të dyshuar kanë rrëmbyer një person duke e mbajtur të fshehur në ahur. Pasi policia ka marrë këtë informacion është kryer një kontroll-bastisje në disa lokacione, i cili ka rezultuar me kapjen e dy të dyshuarve, bëhet fjalë për: G.M lindur më 1985 dhe A.M lindur më 1977. Të njëjtit janë ndaluar nga policia.

Personi i paraqitur si viktimë e këtij rasti, gjatë intervistimit nga hetuesit, mësohet se ka mashtruar njërin nga personat e dyshuar të arrestuar në rastin e rrëmbimit. Ai i ka thënë rrëmbyesit kinse do t’ia gjente atij veturën dhe një bagëti të cilat i janë vjedhur më parë. Për këtë shërbim i ka kërkuar një shumë të hollash të cilat nuk ia ka kthyer.

Media mëson se mashtruesi që është paraqitur si viktimë është nga Mitrovica dhe njërit prej rrëmbyesve ua ka marrë rreth 5 mijë euro. Ai po hetohet për veprën penale “mashtrim” dhe me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje. 

Për këtë rast media ka biseduar më zëdhënësin e Prokurorisë së Pejeës, Shkodran Nikçi. Ai tha se prokuroria ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit.

“Dy personat e dyshuar janë ndaluar për veprën penale “rrëmbim”, viktima po ashtu është ndaluar për veprën penale “mashtrim”. Prokuroria e Pejës do të bëjë kërkesë për caktim të paraburgimit”, tha zëdhënësi i prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Te të dyshuarit gjatë bastisjes së djeshmeështë gjetur dhe konfiskuar një armë ‘AK47’, 104 copë fishek, një llap top, disa telefona celularë, kartela të bankës, kartela të telefonit, CD, fletore për mbajtjen e shënimeve, dokumente të veturës, dhe një automjet.

(Kosova Sot Online)