Kreu i Preshevës: Të bashkohet e gjithë Lugina, pa iu cenuar asnjë milimetër Kosovës

  • 06 June 2019 - 17:02
Kreu i Preshevës: Të bashkohet e gjithë Lugina, pa iu cenuar asnjë milimetër Kosovës

Kreui Komunës së Preshevës, Shqiprim Arifi, ka pritur sot në zyrën e tij një delegacion nga Kosova, të përbërë nga disa deputetë të Kuvendi të Republikës së Kosovës.

Në një komunikatë të lëshuar për media, Arifi ka përsëritur qëndrimin e tij për bashkimin e të gjithë Luginës së Preshevës me Kosovën, pa iu cënuar asnjë milimetër e territorit të Kosovës.

Sipas tij një gjë e tillë duhet të bëhet në koordinim me ndërkombëtarët. “Gjithashtu ia përsërita qëndrimin tonë rreth çështjes së bashkimit të komplet Luginës së Preshevës me Republikën e Kosovës pa e parcializuar Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjën, bashkim me Republikën e Kosovës pa cenuar integritetin territorial të Republikës së Kosovës dhe në koordinim me faktorin ndërkombëtar”, ka thënë Arifi.

Ndër të tjera ai ka thënë se përfaqësuesit e Luginës së Preshvës të përfshihen në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Përfshirja jonë në bisedimet mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel gjithashtu është kërkesë e jona legjitime, pasi kemi një vend të rezervuar për OJQ-ët”, ka shtuar ai.

Arifi ka thënë se deputetët nga Kosova janë zotuar se do t’i paraqesin në Kuvendin e Kosovës, shqetësimet e ngritura në takim. Në takim është folur edhe për kërkesën e themelimit të Fondit Kombëtar të Solidaritetit.

“Gjatë takimit diskutuam për problemet që preokupohen çdo ditë qytetarët tanë që nga problemet elementare atë të teksteve shkollore, diskriminimin tonë dhe kërkesat tona që ua kemi dërguar Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Në detaje i njoftova rreth kërkesës sonë drejtuar dy Qeverive Shqiptare për themelimin e Fondit Kombëtar të Solidaritet dhe hapjes së zyrës koordinuese për realizimin e projekteve nga Qeveritë Shqiptare dhe Komunës së Preshevës”, përfundon njoftimi.

(Kosova Sot Online)