Vrau tetë persona nga e njëjta familje në Selenicë të Vlorës, kërkesa e pazakontë e autorit të...

  • 06 qershor 2019 - 19:26
Vrau tetë persona nga e njëjta familje në Selenicë të Vlorës, kërkesa e pazakontë e autorit të...

Në seancën e radhës të gjyqit ndaj njeriut që vrau tetë vetë në Resulaj të Selenicës, nuk u paraqitën as dëshmitarë dhe as avokatë. Por Ritvan Zykaj bëri një kërkesë për të parë veten në televizor.

Kur askush nuk po dëshmon në sallën e gjyqit, Ritvan Zykaj ka një tjetër hall. Në seancën e radhës, gjatë së cilës nuk u paraqit asnjë dëshmitar, ai pyeti se kur do ta shikonte veten në televizor.

Kërkesën ai e bëri nga brenda kafazit të hekurt, pranë se cilit qëndronin tre policë. Vrasësi i tetë familjareve të tij në Resulaj të Selenicës po e përcjell gjyqin ndaj tij pa ndonjë pretendim ndaj akuzave.

Sytë nuk i tregojnë asnjë shenjë pendimi të dukshëm, kurse frymëmarrjen e ka të shpeshtë. Ai ngrihet e ulet korrekt sa herë i kërkohet prej trupit gjykues. Shfaq interes për ata që po e filmojnë dhe i shikon si i habitur.

Në këtë seance nuk u paraqit asnjë dëshmitar. Por as avokatët e tij të vendosur kryesisht. Gjyqtarët u njoftuan se ishin të zënë. 

Në këto kushte, Gjykata e Vlorës caktoi datën 17 Qershor për seancën e radhës. Prokurori ka kërkuar burgim të përjetshëm, ndërsa pritet dhe përfundimi i procesit me dëshmitarët për t’u marrë vendimi.

Ngjarja në Selenicë të Vlorës, ku tetë pjesëtarë të fisit Zykaj, midis tyre dy fëmijë u vranë, është regjistruar nga ngjarjet më të frikshme dhe makabre. Gjithçka që ka thënë Ritvani 25-vjeçar, është dëshmia që vrau sepse e quanin hajdut pulash.

(Kosova Sot Online)