Vuçiqi ia thotë troç Thaçit: Hiqeni taksën, dialogu nis menjëherë

  • 07 June 2019 - 14:36
Vuçiqi ia thotë troç Thaçit: Hiqeni taksën, dialogu nis menjëherë

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq para pak çastesh deklaroi në Forumin e Bratislavës ku po merr pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi se nëse taksa ndaj produkteve serbe hiqet, atëherë dialogu do të filloj menjëherë.

“Nëse hiqet taksa e rifillojmë njëherë dialogun. Ky është qëndrimi jonë”, deklaroi Vuçiq.

Ndërkohë presidenti i Kosovës Hashim Thaçi ka thënë se ‘Serbia po bëhet penguese për dialogun’.

“Duam marrëveshje me Serbinë që do të sillte njohje reciproke, pa kufij me vija etnike. Një marrëveshje e cila do të sillte anëtarësim të Kosovës në OKB dhe që do të sillte njohjen e pesë vendeve të BE’së, përfshirë Sllovakinë. Në Berlin ne do të kishim pasur mundësi të kishim më shumë përparim. Unë besoj se kjo marrëveshje mund të arrihet në këtë vit, domethënë në vitin 20019”, ka thënë Thaçi.

“Nuk mund të ketë dialog, nëse vendosim kushte për dialog, ashtu sic po bën Serbia aktualisht. Dhe nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim ne UNESCO e Interpol. Por unë besoj se në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe Samiti i Parisit do të ishte një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkret për vazhdim të dialogut dhe për arritje të marrëveshjes”, thotë ai.

(Kosova Sot Online)