Vuçiq për dialogun Kosovë-Serbi: Nesër do të flas në telefon me Angela Merkelin

  • 07 qershor 2019 - 15:13
Vuçiq për dialogun Kosovë-Serbi: Nesër do të flas në telefon me Angela Merkelin

 

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, teksa ka folur për vazhdimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i është përgjigjur presidentit të Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, i cili gjatë debatit fliste për mënyra alternative për të zgjidhur problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Kreu i shtetit serb ka thënë që do të ishte mirë nëse vendet e Ballkanit do të arrinin të gjenin një marrëveshje si bllok shtetesh, por thotë se një gjë e tillë nuk varet fare nga këto shtete.

Sipas tij, gjithçka sa i përket dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, varet nga disponimi i shteteve të BE-së, siç janë Franca dhe Gjermania.

Në bisedë e sipër ai ka treguar që mëngjesin e të shtunës do të flas në telefon me kancelaren gjermane, Angela Merkel, për të diskutuar rreth çështjes së dialogut.

“ Dua t’iu informojë që nesër do të kem një telefonatë me Merkelin, duke qenë se iu informoj për telefonatat e mia me Putinin, po iu tregoj edhe për këtë bisedë me Merkelin. Varet nga ta “, ka thënë Vuçiq.

Gjatë debatit ku ishte pjesë edhe presidenti Thaçi, Vuçiq ka thënë se janë të gatshëm t’i kthehen dialogut menjëherë në rast se Kosova e heq taksën ndaj produkteve serbe.

Ai thotë që e vetmja gjë që i intereson, është paraja e serbëve, e cila po humbet shkaku i vendimit të Kosovës.

(Kosova Sot Online)