Banorët e Kroit të Vitakut takojnë Bahtirin: Serbët po ndërtojnë shtëpi në atë pjesë, do t’i pengojmë punimet

  • 07 June 2019 - 15:30
Banorët e Kroit të Vitakut takojnë Bahtirin: Serbët po ndërtojnë shtëpi në atë pjesë, do t’i pengojmë punimet

Përfaqësues të banorëve të lagjes së Kroit të Vitakut në Mitrovicë janë takuar sot me kreun e Komunës Jugore të Mitrovicës, Agim Bahtirin, tek i cili janë ankuar për faktin se serbët kanë filluar të ndërtojnë shtëpi në atë pjesë, derisa shqiptarëve një gjë e tillë nuk iu lejohet

Ata kanë thënë se një gjë e tillë është e papranueshme, dhe se do të vazhdojnë të bëjnë përpjekje për t’i penguar punimet.

Ndërkohë Agim Bahtiri ka thënë se nuk do të lejojë kolonizimin e asaj pjesë pasi që aty asnjëherë s’kanë jetuar serbët. Ai gjithashtu u ka bërë thirrje autoriteteve qendrore që të mos i mbyllin sytë përballë veprimeve të tilla të serbëve.

‘Ne si banorë të kësaj lagje kemi qenë gjithmonë për bashkëjetesë, mirëpo asnjë shtëpi e banorëve serb nuk duhet të ndërtohet përderisa nuk lejohet ndërtimi i shtëpive të shqiptarëve dhe ne me mundësit tona do të vazhdojmë me pengimin e punimeve”, ka thënë Skënder Rama përfaqësues i banorëve.

Ai më tutje ka bërë të ditur që të gjithë banorët shqiptarë janë të pajtimit që të iniciojnë një peticion me të cilin do të kërkohet nga institucionet e nivelit qendror që të pengohet ndërtimi i banesave dhe shtëpive serbe.

Bahtiri ka thënë se në të gjitha takimet e tij me përfaqësues të nivelit qendror dhe atë ndërkombëtarë ka ngritur zërin për 13 mijë shqiptarët e dëbuar me dhunë nga veriu i Kosovës, e veçanërisht nga pjesa veriore e Mitrovicës, të cilët akoma nuk janë kthyer në shtëpitë e tyre, ndërkohë vazhdojnë të jetojnë si refugjatë në pjesën jugore të qytetit dhe qytete tjera të Kosovës.

“Projektet e tilla kanë për qëllim kolonizimin e veriut dhe ndryshimin e strukturës etnike, duke mundësuar kështu kthimin e serbëve që asnjëherë nuk kanë jetuar në Kosovë andaj i bëj thirrje Qeverisë së Kosovës, Kuvendit të Kosovës dhe organeve tjera kompetente që mos t’i mbyllin sytë përballë kësaj situate të krijuar e cila nuk i konvenon bashkëjetesës së qytetarëve të Mitrovicës”, ka thënë Bahtiri.

(Kosova Sot Online)