Vazhdon ikja e kosovarëve, ja sa autobusë u nisën mbrëmë drejt këtij shteti evropian

  • 07 June 2019 - 16:19
Vazhdon ikja e kosovarëve, ja sa autobusë u nisën mbrëmë drejt këtij shteti evropian

Rrugëtimi i kosovarëve për në Evropë me viza të punës e edhe ilegalisht nuk po ndalet. Vetëm mbrëmë nga Prishtina për në Slloveni u nisën tre autobusë me të rinj, e shumica nga ta përmes agjencive të ndryshme qëllim kanë depërtimin për në vende më të zhvilluara si Zvicra e Gjermania.

Rroga të cilën e merrte në Kosovë nuk po i mjaftonte për një jetë të mirë 24-vjeçarit nga Lipjani, (emri i të cilit nuk përmendet për shkaqe privatësie).

300 euro për të nuk u panë si zgjidhje, e si shumë bashkëmoshatarë të tij, si zgjidhje e gjeti atë përmes agjencive, që të njëjtit do të mund t’ia mundësonin një punë më profitabile në ndonjë vend të Evropës.

Kështu të premten në ora 03:00 të mëngjesit ai por edhe tre autobusë me kosovarë morën rrugën drejt Sllovenisë, si qëllim depërtimin e mëvonshëm në ndonjë shtet tjetër të Evropës.

Të njëjtët, në këto vende pas disa procedurave që kryejnë përmes agjencive që kanë marrëveshje bashkëpunimi vendosen në ndonjë shtet në periudhë 1 vjetore, varësisht nga afati që ka viza. Këto agjenci janë të shpërndara në të gjithë Kosovën, kryesisht në qendra të mëdha siç është kryeqyteti aty ku numri i aplikantëve është më i madh.

Si fillim, një person i interesuar për të marrë një vizë punë në Kroaci, Slloveni apo edhe në ndonjë shtet tjetër ku potencialisht mund të kenë bashkëpunim agjencioni duhet të aplikojë për vizë.  Për këtë proces i duhet të jep 100 euro në agjencion, pas saj të pres edhe 40 ditë tjera maksimumi deri sa t’i vie radha për termin në ambasadën përkatëse.

Në rast se ambasada ia lëshon personit vizën e punës, aplikuesi duhet t’i paguajë edhe 400 euro tjera që sipas agjencive duhen për disa procedura. Krejt çka duhet për aplikim është një kopje e pasaportës si dhe një fotografi e formatit të vizës të cilat i dorëzojnë nëpër zyrat përkatëse.

Megjithëse shuma të cilën e paguajnë nuk është e ulët duke pas parasysh rrogën mesatare në vend, kjo nuk po i ndalë qindra persona që çdo ditë të drejtohen te këto zyra.

Me një shikim të thjeshtë nëpër rrjete sociale, në disa agjenci që figurojnë online, mund të shihen dhjetëra lista me një numër të madh të persona, emri e mbiemri i tyre e edhe të dhënat personale që publikohen karshi lajmeve se vizat janë gati e se duhet të vazhdohet me procedura.

Pos kësaj ka edhe oferta të ndryshme e në punë të ndryshme, kryesisht ndërtimtari por edhe si shoferë e kamerierë.

Për më pak se 1 javë në njërën nga listat që është bërë publike edhe përmes Facebook-ut, vizë pune kanë marrë më shumë se 50 kosovarë.

Siç edhe shkruhet, fillimisht aplikacioni duhet të burojë përmes ambasadës kroate, derisa më vonë ekziston mundësia për transferim edhe në Gjermani.

“Të gjithë ata që tani më kanë aplikuar për në Shtetin Kroat deri me datën 27.05.2019 të Deklarohen se a do të qëndrojnë të punojnë në shtetin Kroat apo të transferohen për në Shtetin Gjermanë”, thuhet në njërin nga publikimet.

Kriteret per aplikim

Gazeta Express ka kontaktuar disa nga këto agjenci. Mjafton që përmes telefonit të ju bëhet e ditur se për çfarë lloj të punës është personi i interesuar si dhe t’i përgatitë dokumentet e nevojshme që duhen për dorëzim, sigurisht edhe paratë. Pjesa tjetër është sipas tyre pritje për përgjigje.

Disa prej tyre madje për shërbimet që kryejnë as nuk janë të regjistruara në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës. 

Shtetet përmes të cilave tentohet depërtimi

Sllovenia e Kroacia po mbesin rrugë ndërmjetësimi për kosovarët që duan të depërtojnë për në Gjermani apo Zvicër, por edhe në cilindo shtet të Evropës ku mund të sigurojnë një jetë më të mirë se në Kosovë.

Agjenci të ndryshme, përmes disa marrëveshjeve që kanë lidhur në këto dy shtete, por edhe në Çeki po ju mundësojnë kosovarëve marrjen e vizave, e vende të punës në ndërtimtari, si elektricist, murator apo saldues e edhe si kamerier.

Të joshur nga garancioni për punësim 1 vjeçar e pagë më shume se 1 mijë euro, kësaj rruge ja kanë mësyrë mosha të ndryshme, deri në ato 18-vjece, e fundit sa lejohet në bazë të dokumenteve.

Në rrjete sociale lehtësisht mund të gjesh agjenci ndërmjetësimi të cilat sigurojnë shkuarjet në disa shtete, e vazhdimin për në vende tjera që mund të konsiderohen më premtuese.

Express ka kontaktuar me njërin nga personat që ka marrë rrugën e mërgimit përmes njërës nga agjencitë. Sipas rrëfimit të tij, qëllimi që nga fillimi i procedurave ka qenë vendosja përkohësisht në Kroaci e pastaj vazhdimi për ndonjë shtet tjetër.

Ka pak kohë prej kur Express ka sjellë rrëfimin nga Drenasi, aty ku një qytetar i kësaj komune përmes vizave të punës u vendos fillimisht në Slloveni derisa pak ditë më vonë vazhdoi për në Gjermani. I njëjti vdiq në ditën e parë të punës në shtetin gjerman.

Mbrëmë në anën tjetër, policia ka kapur në Prishtinë një të ri që dyshohet se ka mashtruar persona të ndryshëm duke iu marrë para kinse për t’u bërë viza të punës.

Ishte kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ai që duke komentuar këto ikje tha se ndodhin për shkak të papunësisë, duke shtuar se një gjë e tillë po vazhdon të mbetet shqetësuese.

Në një raport të publikuar nga Ministria e Punëve të Brendshme thuhet se në periudhën 2013-2017 nga Kosova kanë emigruar deri në 35 mijë qytetarë.

Ndërkaq, përgjatë këtyre viteve në Agjencinë e Statistikave të Kosovës shkruhet se kanë emigruar më shumë se 170 mijë qytetarë. Në këto të dhëna përfshihet emigrimi i rregullt dhe i parregullt ndërkaq shumica prej tyre kërkuan edhe azil.

Vetëm në vitin 2015-të nga Kosova emigruan mbi 75 mijë qytetarë shumica nga ta në formë të parregullt, ndërkaq në vitin 2017-të migruan rreth 12 mijë qytetarë. 

(Kosova Sot Online)