Kryetari më i varfër ua zbulon pasurinë – tregon sa para mori nga shpronësimi në “Arbër Xhaferi”

  • 07 June 2019 - 18:00
Kryetari më i varfër ua zbulon pasurinë – tregon sa para mori nga shpronësimi në “Arbër Xhaferi”

Për disa vite u tha se është më i varfëri prej kryetarëve të komunave. Por, po të shikosh pasuritë që ka deklaruar në Agjencinë Antikorrupsion, Rufki Suma nuk është edhe aq i varfër. Vetëm vlera e pasurive të paluajtshme që ai ka në pronësi sillet rreth 150 mijë euro.

Në regjistrin për deklarimin e pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit, Suma ka deklaruar se ka një banesë në vlerë 60 mijë euro dhe tri toka, vlera e së cilave sillet rreth 100 mijë euro.

Si pasuri të luajtshme, i pari i Hanit të Elezit ka deklaruar një veturë të llojit Tauran, që thotë se kushton 6 mijë euro, derisa thotë se ka rreth 2 mijë euro para të gatshme nëpër banka.

Të hyrat vjetore të Sumës sillen rreth 18 mijë euro, para të cilat i merr si kryetar, nga mëditjet dhe se pension të TMK’së.

Tek pasuria e tij, Suma shpjegon se nuk i ka llogaritur paratë që ka marrë nga shpronësimi i tokës për autostradë. Suma thotë se për këtë tokë ata kanë marrë 45 mijë euro, të cilën e kanë ndarë në katër pjesë.

Pjesën e tij, Suma thotë ta ketë shfrytëzuar për kryerjen e haxhit për të dhe gruan e tij.

“Këtu nuk janë llogaritur pensioni i pleqërisë së nënës si dhe mjetet nga shpronësimi i pronës për autostradë në një vlerë 45.000 të cilat janë ndarë në 4 pjesë të barabarta, ku vetëm pjesa ime në vlerë prej 11.250 euro është shfrytëzuar për kryerjen e hagjit për mua dhe bashkëshorten time”, ka shpjeguar ai.

(Kosova Sot Online)