Berisha publikon bisedën me refugjatët kosovarë, të cilëve u kishte folur kundër ndarjes

  • 07 June 2019 - 21:46
Berisha publikon bisedën me refugjatët kosovarë, të cilëve u kishte folur kundër ndarjes

Në Korçë, 20 vjet më parë, Sali Berisha po thoshte se Kosova është e shenjtë për të gjithë shqiptarët dhe liria e saj e përcakton të ardhmen e gjithë kombit.

Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka publikuar një video në Facebook, e cila është realizuar gjatë vitit 1999 në Korçë. Duket se ai është në një kamp refugjatësh.

Aty Berisha thotë se Kosova është e ardhmja e gjithë shqiptarëve dhe asaj nuk duhet t’i humbet asnjë pëllëmbë toke.

“Ne u kemi thënë shqiptarëve kudo se në Kosovë përcaktohet e ardhmja jonë. Po fitoi Kosova, do të fitojë populli shqiptar. Po humbi Kosova, populli shqiptar nuk ka të ardhme, sepse ai sot do Drenicën, Pejën, Gjakovën, Prizrenin… dhe nuk duhet të lejojmë të humbim asnjë pëllëmbë. Një Kosovë në liri ndërtohet 50 herë më shpejt se një Kosovë nën Serbi”, ka thënë Berisha.

Ai madje u kërkon shqiptarëve që të mbajnë gjallë idealin për kthimin e Kosovës.

“Ju ftoj që ta mbani të gjallë shpirtin që të kthejmë Kosovën sapo të krijohen kushtet, që të mos i japim asnjë pëllëmbë armikut. Kosova është e shenjtë për shqiptarët”, ka thënë Berisha.

Ndryshe ish-lideri i Shqipërisë së fundmi është përfshirë në përplasje të ashpra me presidentin Hashim Thaci, të cilin po e akuzon se me idenë e tij për ndryshim të kufijve me Serbinë, po dëshiron ta ndajë Kosovën.

Berisha e quan vazhdimisht Thacin “argat të Serbisë”, ndërkaq presidenti i Kosovës e akuzon atë se gjatë viteve të ’90-ta ka qenë “argat i Millosheviqit”.

 

Asnje pellembe te Kosoves nuk i japim kujt! Ne Korçe, 20 vjet me pare nje bisede vellazerore me refugjatet kosovare te perzene me dhune nga pushtuesit barbar serbe. sb

Posted by Sali Berisha on Friday, June 7, 2019

(Kosova Sot Online)