SHBA-ja fillon tërheqjen e aeroplanëve F-35 nga Turqia për shkak të marrëveshjes me Rusinë

  • 07 June 2019 - 23:34
SHBA-ja fillon tërheqjen e aeroplanëve F-35 nga Turqia për shkak të marrëveshjes me Rusinë

Shtetet e Bashkuara të Amerikës këtë të premte kanë filluar tërheqjen e aeroplanëve ushtarakë F-35 nga Turqia, për shkak se kjo e fundit kishte bërë marrëveshje me Rusinë për blerjen e sistemit raketorë mbrojtës.

Sekretari Amerikan i Mbrojtjes, Patric Shanhan i dërgoi një letër homologut të tij të premten, duke i treguar se tashmë kanë filluar hapat për largimin e Turqisë nga programi amerikan, deri në kohën kur kjo e e fundit ta ndryshojë qasjen.

Gjithashtu, agjencia e lajmeve Reuters, njofton se SHBA-ja ka vendosur që të mos trajnojë më asnjë pilot turk, si shenja e parë konkrete për mosmarrëveshjet mes Uashingtonit dhe Ankarasë, transmeton Gazeta Express.

SHBA-ja thotë se Turqia me blerjen e sistemit mbrojtës rus, S-400 ka kërcënuar aeroplanët luftarak F-35, të cilat vetë Turqia planifikonte t’i blinte. SHBA-ja shtoi se Turqia nuk mund t’i ketë të dyja. 

Personeli ushtarak turk, i cili gjendet për trajnim në SHBA, do ta mbarojnë trajnimin e tyre gjatë muajit korrik, e më pastaj nuk do të ketë trajnim tjetër për ushtarët e pilotët turq.

Në letrën e tij, Shanahan gjithashtu paralajmëroi Ankaranë se një marrëveshje me Moskën e rrezikon lidhjen e Turqisë me NATO-n, duke e dëmtuar kështu edhe ekonominë turke, duke e dërguar atë drejtë një varësie ndaj Rusisë.

Lira turke, gjatë ditës së premte ka rënë për 1.5%. E kjo rënie, është vazhdueshmëri e dëmtimit të lirës turke, në krahasim me valutave tjera.

(Kosova Sot Online)