'Qeveria i ka 87 milionë për Devollin e Dukagjinin por jo 7 milionë ta shpëtojë Telekomin'

  • 08 June 2019 - 21:17
'Qeveria i ka 87 milionë për Devollin e Dukagjinin por jo 7 milionë ta shpëtojë Telekomin'

Sekretari për Logjistikë dhe Informatikë Fatban Bunjaku ngaLëvizja Vetëvendosje përmes një shkrimi në Facebook, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës e cila nuk po e përkrah Telekomin me garnacinë financiare që kjo e fundit i ka kërkuar asaj.

“Qeveria ka 32 milionë për Devollin, i ka 55 milionë për Dukagjinin, por nuk jep garancinë prej 6.9 milionë € që ta shpëtojë Telekomin e Valën,” shkruan Bunjaku.

Sipas tij, për shkak të kësaj mospërkrahje mund të dështoj edhe marrëveshja mes Nokia-s dhe Telekomi e cila mund ta avancojë (upgrade) teknologjinë e Vala-s, me qëllim që operatorit tonë publik të telefonisë mobile t'i zgjatet jeta.

Shkrimi i plotë i Bunjakut

Qeveria ka 32 milionë € për Devollin, i ka 55 milionë € për Dukagjinin, por nuk jep garancinë prej 6.9 milionë € që ta shpëtojë Telekomin e Valën.

Telekomit i duhet një garanci financiare nga Qeveria, që në partneritet me Nokia ta avancojë (upgrade) teknologjinë e Vala-s, me qëllim që operatorit tonë publik të telefonisë mobile t'i zgjatet jeta, të pavarësohet plotësisht nga Monaco Telecom e t’i përmbushë disa kërkesa ligjore.

Kryeshefi ekzekutiv i kësaj kompanie publike, në një sesion të hapur të Komisionit Hetimor Parlamentar për Telekomin, tha se kjo shumë nuk i kalon 6.9 milionë €. Qeverisë nuk po i kërkojnë para por garancinë shtetëtore. Ky investim ka efekte të menjëhershme në rritjen e të hyrave të Telekomin e Kosovës, psh: nga shtimi i të ardhurat nga trafiku ndërkombëtar në ardhje, në shkuarje, të ardhurat nga roamingu, etj. të ardhura këto që Telekomi vazhdon t’i ndajë me Monaco Telecom.

Po ashtu, pa këto punë Vala nuk mund ta jetësojë heqjen e roamingut as me Republikën e Shqipërisë e as me operatorët në rajon, diçka për të cilën qeveritarët dhe bishtat e tyre qenë 'lodhur' duke u fotografuar me sebepe të ndryshëm.

Nokia është gjigant teknologjik, korporatë serioze, etike, por e ka një "behane" - nuk e ka as një degë në Pejë, e as nuk ka aksionerë Devollin apo Dukagjinin.

(Kosova Sot Online)