Akuzat nga ambasadori, kërkohet përmbysje e madhe në Kosovë

  • 09 June 2019 - 09:57
Akuzat nga ambasadori, kërkohet përmbysje e madhe në Kosovë

Analisti politik Faik Krasniqi, duke komentuar akuzat e radhës të ambasadorit britanik O’Connell, përmes faqes së tij zyrtare në Facebook, se nuk po luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, ka thënë se jo vetëm ambasadori britanik, por tani edhe qytetari më i thjeshtë po e vëren se në çfarë mase është kapur drejtësia nga politika e lidhur me krimin, dhe nuk po e lejon për të vepruar sistemin gjyqësor as prokuroria.

Sipas Krasniqit, derisa nuk ndodhë një përmbysje e madhe në politikë dhe drejtësi, apelet dhe reagimet e moderuara nuk do bëjnë punë.

Image

“Në Kosovë është arritur një pakt mes politikës dhe drejtësisë. Ne nuk ju ngacmojmë juve, dhe as ju nuk na ngacmoni neve. Të gjithë jemi në paqe”, tha Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, ky pakt ka funksionuar perfekt mes dy hallkave të shtetit, politikës dhe drejtësisë.

“Shumica e emërimeve në drejtësi, janë emëruar nga politika. Prandaj, është e pabesueshme që mund të luftohet korrupsioni dhe krimi i organizuar, sepse këta s'mund ta luftojnë vetveten.

 

 

Për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin, duhet të bie i gjithë sistemi. Kur bie sistemi bie edhe hallka mafioze zingjirore politike-drejtësi”, tha Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Përndryshe, sipas Krasniqit është e kotë të flasim për këto gjëra.

(Kosova Sot Online)