Fillon sezona verore, Durrësi “pushtohet” nga turistët

  • 09 qershor 2019 - 12:35
Fillon sezona verore, Durrësi “pushtohet” nga turistët

Ngritja e menjëhershme e temperaturave këtë fundjavë qershori ka mbushur plazhet buzë Adriatikut me pushues vendas e të huaj.

Banjat e ujit e diellit, lojërat në bregdet dhe një kafe apo drekë buzë detit, kanë ftuar pushuesit drejt plazheve që ende vijojnë të pastrohen e bëhen gati për muajt më të ngarkuar të sezonit turistik.

“Mirë shumë. Uji është i ngrohtë. Jam me fëmijët po kënaqemi. Shyqyr se na ikin ditët e koha. Kemi dal që herët e po pastronin”, tha një pushuese.

Turistë të shumtë të huaj janë akomoduar përmes agjencive turistike në hotelet përgjatë bregdetit te Durrësit. Po ka dhe turistë të tjerë që kanë zgjedhur të pushojnë në brigjet shqiptare pa ndërmjetësinë e agjencive. Laura është një italiane nga Peruxhia, të cilën e solli në Shqipëri kurioziteti për të njohur vendin e origjinës së disa prej punonjësve të saj.

“Kam të punësuar 4 punëtorë shqiptarë dhe vendosa të shfrytëzoj linjën direkte nga Perugia dhe të shoh Shqipërinë. U mrekullova nga deti dhe nga hoteli e shërbimi këtu. Njerëzit mikpritës. Plazhi i pastër dhe gjithçka e mirë. Vij prej 5-6 vjetësh dhe çdo vit e më shumë vendi përmirësohet. Rrugët janë asfaltuar e janë të pastra tani. Edhe shëtitorja që po ndërtohet mes detit dhe hoteleve është një investim i mirë. Edhe ushqimi e gatimet. Çmimet janë shumë të mira”, thotë turistja italiane.

Fluksi i pushuesve, këtë fundjavë, ka lënë të kënaqur edhe operatorët turistikë që shprehen se ky sezon i vonuar u ndikua jo vetëm nga kushtet atmosferike, po dhe nga klima politike në vend.

“Sezoni është shumë i vonuar dhe shkak ka qenë moti dhe protestat që kanë ndikuar shumë. Shpresojmë që në ditët në vazhdim të vijnë dhe grupet turistike. Maji ka qenë shumë keq, po qershori ka filluar mirë dhe jemi të gatshëm për këtë sezon”, tha Arben Drazhi, operator turistik.

(Kosova Sot Online)