E helmoi vjehrrën, rrëfehet vëllai i nuses: Skenar i hoxhës, motrën e çova të sëmurë rëndë tek ai, por atje…

  • 09 June 2019 - 14:07
E helmoi vjehrrën, rrëfehet vëllai i nuses: Skenar i hoxhës, motrën e çova të sëmurë rëndë tek ai, por atje…

Gjykata për Krime të Rënda dëgjoi disa ditë më parë dëshminë e vëllait të Marjana Çmetës, e cila dyshohet se dy vite më parë ka helmuar vjehrrën e saj Lirie Lamin me fostoksinë. Erjon Çmeta tregoi në dëshminë e tij se si e kishte marrë lajmin që viktima ishte në spital dhe të gjithë rrjedhën e ngjarjes pas këtij momenti.

Sipas Çmetës, pas vdekjes së Lirie Lamit, motra e tij Marjana kishte kaluar në një gjendje jo shumë të mirë shëndetësore. Disa ditë pas vdekjes, atë e kanë gjetur në një banesë të braktisur, ku ka kaluar ‘një lloj epilepsie’, tha Erjon Çmeta. Ky i fundit tha para Gjykatës se asnjëherë nuk kanë folur me motrën për ngjarjen, kjo edhe për shkak se pasi u shtrua 5 ditë në spital, mjekët i kanë thënë se nuk duhet ta rëndonin psikologjikisht. Në lidhje me faktin se motra dyshohej nga familjarët e burrit si vrasësja e vjehrrës, ai thotë se e kanë dëgjuar si thashethem, por asnjëherë nuk ia ka thënë familja Lami. 

DËSHMIA

“Më ka marrë babi në telefon dhe më ka thënë të shkoja te spitali se Lirie Lami ishte sëmurë. Pasi shkova aty, takova të afërmit e Liries dhe Oltjon Lamin, ish-bashkëshortin e motrës. Kur pyeta se çfarë kishte ndodhur, më thanë që nuk dinin asgjë, ndërsa vëllai i Agim Lamit, Vehbiu, më tha që dyshohet se i ka rënë infarkt. Edhe Oltjoni ashtu më tha. Atë ditë ishte dhe motra ime aty, e kam takuar, por nuk kemi folur. Pas disa çastesh e mora motrën dhe nusen e Vehbi Lamit me makinë, i çova në shtëpi se do bënin punët. Gjatë rrugës nuk kemi folur asgjë.

Ditën e pestë pas ngjarjes, pas një grindjeje me Oltjonin, motra ishte në gjendje shumë të rëndë. Oltjoni do të çonte motrën e tij tek i ashtuquajturi hoxhë Hysen Shehu, se nuk ishte mirë nga vdekja e nënës. Këtë ditë Marjana i kishte kërkuar të shkonte dhe ajo për të shoqëruar motrën e tij, por Oltjoni i kishte thënë se nuk do të shkonte. Marjana është mërzitur shumë pas kësaj dhe është larguar nga shtëpia. Ndërkohë ka qenë Olti që më ka thënë hajde, se nuk e di ku është motra.

Dolëm bashkë për ta kërkuar, njoftuam dhe Policinë. E gjetëm në një shtëpi pak më poshtë, të papërfunduar dhe ishte në gjendje të rënduar psikologjikisht, mund të them një lloj epilepsie. Ajo nuk dinte çfarë fliste. Agim Lami më ka thënë që ta çonim te hoxha se Marjana nuk ishte mirë. Atë kohë ka qenë dhe shtatzënë. E çova tek i ashtuquajturi hoxhë. Unë i kërkova të isha i pranishëm, por ai nuk pranoi.

Më tha të prisja jashtë dhe dola. Pasi doli motra, hoxha tha se nuk ishte një rast për tek ai, por duhet ta çonim në spital. E shtruam 5 ditë në spital. Pasi doli nga aty, e çuam motrën te njerëzit e burrit. Ata na nxorën jashtë, madje na kapën prej krahu dhe na thanë dilni jashtë. Vehbi Muça ka marrë në telefon Policinë, ndërsa ne nuk dinim cila ishte arsyeja. Pak a shumë e kishim kuptuar, sepse ishin bërë thashetheme që motra kishte mbytur vjehrrën. Këtë e kam dëgjuar nga njerëzit. Kur kërkonim motrën më parë që kishte ikur nga shtëpia, Oltjoni më tha se me këto që po bën Marjana, njerëzit po dyshojnë mos e ka vrarë ajo mamin. Kur Marjana ka dalë nga spitali nuk kemi folur asgjë, madje s’e kemi pyetur sepse doktorët na thanë që mos ta ngarkonim psikologjikisht”, deklaroi Erjon Çmeta. 

Erjon Çmeta: Kjo ngjarje është skenar i hoxhës, Marjana e pafajshme

Në një reagim për gazetën “Panorama”, vëllai i Marjanës, Erjon Çmeta, jashtë sallës së gjyqit tha se motra e tij ishte e pafajshme dhe se ngjarja ishte një skenar i hoxhë Hysen Shehut.

Sipas të riut, hoxha është njohje e familjes Lami dhe se është i porositur. Çmeta shtoi se ata nuk janë një familje kriminelësh dhe se motra e tij nuk është rritur me atë frymë. Ndër të tjera pohoi se familja Lami për ta ka qenë gjithmonë e respektuar dhe se nuk kanë pasur asnjëherë qëllim të keqen ndaj tyre.

Në fund, Erjon Çmeta pohoi se motra e tij ishte e pafajshme, por nuk e kishte idenë se pse ishte inskenuar sipas tij, kjo situatë. “Hoxha Hysen Shehu ka organizuar një skenar të mirëfilltë. Ai është i njohur i familjes Lami dhe ka qenë i adresuar nga familja për të shkuar Marjana tek ai. Hoxha pretendon se e ka bërë videon për transparencë, por pse nuk ma tregoi mua për të qenë transparent. Hoxha thotë gjithashtu se i ka dhënë një thelp hudhër motrës sime, por kjo bie ndesh me kuranin fetar. Kjo sepse hudhra është e papëlqyer në kuranin fetar. Me veprimet e tij hoxha tregon qartë se ka bërë një skenar për këtë. Arsyen nuk e dimë pse e ka bërë dhe nga kush është porositur. Unë motrën e kam çuar vetë në gjendje të rëndë tek ai dhe po në të njëjtën gjendje doli.

Dyshoj që autori kryesor është hoxha në skenarin e tij me videon. Nuk kemi qenë një familje vrasësish apo kriminelësh dhe Marjana të jetë rritur me një frymë të tillë. Familja Lami për ne ka qenë e respektuar dhe ne gjithashtu nuk kemi qenë kurrë në të keqen e tyre. Oltjoni ka deklaruar se Marjana ka marrë mendimin e vëllait dhe nënës, por kjo nuk është e vërtetë dhe ai e di shumë mirë. Gjithsesi, do të ketë një ditë gjykimi para Zotit ku Oltjoni do ta vërtetojë se çfarë ndikimi ka pasur familja te Marjana. Motra ime është e pafajshme”, pretendoi Erjon Çmeta.

(Kosova Sot Online)