Avdullah Hoti i reagon ashpër Kadri Veselit

  • 09 June 2019 - 15:56
Avdullah Hoti i reagon ashpër Kadri Veselit

Shefi i deputetëve të LDK’së, Avdullah Hoti, ka thënë se ideja e Kadri Veselit për të themeluar një Komision Hetimor për t’i zbardhur mashtruesit e veteranëve të UÇK’së nuk i ndihmon zbardhjes së kësaj çështjeje.

Ai ka thënë se vetëm drejtësia mund të heq nga lista veteranët e rrejshëm.

“Këtë çështje nuk e zbardhë Komisioni Hetimor parlamentar, por drejtësia e guximshme, e pavarur politikisht dhe e pa thyeshme përballë kërcënimeve”, ka reaguar Hoti, në Fb.

Sot, Kadri Veseli, ka dalë me idenë e themelimit të një Komisioni Hetimor Parlamentar për t’i hetuar mashtruesit e veteranëve të UÇK’së. Ka thënë se i njëjti Komision do të zbardhte të gjithë mashtrimet që kanë bërë edhe komandantët. 

Në anën tjetër, Avdullah Hoti, ka thënë se propozime të tilla po vijnë nga ata që kërcënojnë e shantazhojnë drejtësinë.

“I pesëfishojnë listat e veteranëve me mashtrues, e kërcënojnë prokurorin që hetonte veteranët e rrejshëm dhe ata që ju mundësuan të futen në lista, nuk e zbatojnë ligjin në fuqi për kufizimin e shpenzimeve për pensionet e veteranëve në 0.7% të Bruto Produktit Vendor. E tash kërkojnë Komision Hetimor për të larë veten”, ka shkruar Hoti.

“Ne, Lidhja Demikratike, në qeverine e ardhshme do të sigurohemi për të pasur një gjyqësorë të tillë, i cili është parakusht për të ardhmen demokratike dhe evropiane të shtetit të Kosovës”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)