Paralajmërimi serioz për Kosovën: Ky është pazari i rëndë me Serbinë

  • 10 June 2019 - 12:03
Paralajmërimi serioz për Kosovën: Ky është pazari i rëndë me Serbinë

Kosova nuk e ka bërë asnjë hap të vetëm për të kërkuar nga Serbia kompensimin e dëmeve të luftës, edhe pse po kalojnë dy dekada nga përfundimi i luftës së tmerrshme e shkatërrimtare.

E lidhur me këtë, analisti politik, Bislim Aliu përveç se fajëson të gjitha paritë politike që qeverisën me vendin në dekadat e fundit dhe nuk e trajtuan këtë problem, fajtor kryesor e bën presidentin e vendit, Hashim Thaçin, i cili sipas tij po i përdorë edhe dëmet e luftës për pazare me Serbinë që të shpëton nga Gjykata Speciale.

Image
Bislim Aliu

“Qe sa kohë po vajtohet se si të bëhet pazar me territorin e Kosovës, për ta shpëtuar Hashim Thaçin nga Gjykata Speciale, ndërkaq qe 20 vite, as pozita dhe as opozita, nuk bën ndonjë kusht, që të mos vazhdohet kurrfarë dialogu me Serbinë, pa e detyruar Serbinë të kompensoi dëmet e luftës! Me këtë pushtetarët tanë po duan që t'ia falin dëmet e e luftës Serbisë! Ndaj, kjo klasë politike, që edhe pas dy dekadash, por edhe drejtësia kosovare nuk ndërmori asgjë për paditë e qytetarëve dhe bizneseve kundër Serbisë për dëmet e luftës. Drejtësia kosovare e dirigjuar nga politika e inkriminuar, ka refuzuar ta adresojë çështjen e kompensimit të dëmeve të shumta që ju bënë qytetarëve dhe bizneseve nga regjimi gjenociadial serb, që na dogji, na vrau e na shkatërroi të gjithëve. Ndërkaq presidenti Hashim Thaçi po insiston që t'ia fali një të tretën e territorit të Kosovës, por në paketë edhe dëmet e luftës”, tha analisti politik Bislim Aliu për “Kosova Sot Online”.

Ai vlerëson se faljen e dëmeve të luftës, pushtetarët e bëjnë pasi për vete nga ana e pasurisë qëndrojnë fare mirë dhe se krimi e korrupsioni në të cilin janë zhytur i ka bërë ata mjaft të kamur.

“Sigurisht pushtetarët tanë, ia kanë "falur" dëmet e luftës Serbisë, pasi që për vete janë bërë milionerë në kurriz të popullit, ndërkaq nuk ia kërkojnë Serbisë, të paguaj dëmet e shkaktuara ndaj qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë”, përfundoi Aliu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)