Qeveria gjermane do qasje në të dhënat private të qytetarëve

  • 10 June 2019 - 12:56
Qeveria gjermane do qasje në të dhënat private të qytetarëve

Një regjistrues i zërit që mund të montohet në derë, një kamerë e vogël që vendoset në shtëpinë e zogjve dhe shumë pajisje tjera spiunimi ndodhen në një muze të Berlinit. Ato ishin përdorur nga viti 1950 deri në vitin 1990 nga Policia për Siguri Shtetërore e Gjermanisë Lindore.

Sidoqoftë, këto pajisje mbesin prapa në krahasim me telefonat e mençur që i kemi në xhepa. Tash, policia gjermane dëshiron të ketë qasje, jo vetëm në telefona, por edhe në të dhënat që mblidhen nga pajisjet digjitale, si “Google Home” dhe “Amazon Echo”.

Qeveria gjermane po planifikon të zhvillojë diskutime për këtë çështje gjatë një takimi të ministrave që mbahet këtë javë. Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme të Gjermanisë tha: “Për ta luftuar krimin në mënyrë efektive, është shumë e rëndësishme që autoritetet federale dhe shtetërore të kenë qasje në të dhënat e grumbulluara nga këto pajisje”.

Ky paralajmërim e ka ngritur alarmin te aktivistët që i përcjellin të drejtat e privatësisë digjitale. “Ata janë plotësisht të vetëdijshëm se kjo që po planifikojnë është kundër kushtetutës. Pres që agjencitë për mbrojtjen e të dhënave të ndërhyjnë”, tha Jeanette Hofmann, profesoreshë e politikave të internetit në Universitetin Freie në Berlin.

Ajo shtoi: “Shtëpia ende vlerësohet si vend i shenjtë në krahasim me atë që ndodh në publik. Mundësia që gjithçka që bëhet në shtëpi të përcillet nga shteti me një urdhër gjykate është goxha e frikshme”, shkruan “CNN”.

(Kosova Sot Online)