DW komenton vendimin e Metës: Në rrezik, stabiliteti demokratik e siguria publike

  • 10 June 2019 - 14:25
DW komenton vendimin e Metës: Në rrezik, stabiliteti demokratik e siguria publike

Presidenti Meta firmosi të hënën dekretin për shfuqizimin e 30 qershorit si datë për Lokalet 2019. Pas firmosjes PS deklaroi se do te nisë procedurat për shkarkimin e tij.

Në një konferencë të jashtëzakonshme shtypi të hënën paradite, (10.06) Presidenti, Ilir Meta firmosi para mediave dekretin e anulimit të zhvillimit të Lokaleve 2019, më 30 qershor dhe theksoi se pa „dekretimin e një date tjetër ato nuk mund të zhvillohen".

Duke iu referuar neneve të shumta të Kushtetutës, Ilir Meta argumentoi anulimin e datës 30 qershor "në përmbushje të detyrës primare kushtetuese si President: garantimin e unitetit të popullit, mbrojtjes së vlerave dhe parimeve demokratike të sanksionuara në Kushtetutën e Shqipërisë".

Zgjedhjet pa opozitën - fiktive, të rreme, nxisin konflikt social

Presidenti Meta solli në vëmendje krizën politike që po përjeton Shqipëria që nga heqja dorë e deputetëve opozitarë prej mandateve të tyre parlamentare, protestat dhe mos pjesëmarrja e opozitës në Lokalet 2019; gjë që do t'i bënte këto zgjedhje „fiktive dhe të rreme" vuri në dukje Meta. Ai përmendi se partitë opozitare kanë fituar 48,6 % të votave në Lokalet 2015.

"Zhvillimi i zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore në 30 qershor 2019, pa pjesëmarrjen e opozitës, që përfaqëson së paku gjysmën e elektoratit shqiptar, cënon disa parime kushtetuese që gëzojnë mbrojtje të posaçme kushtetuese", theksoi Presidenti Meta, duke patur parasysh të drejtën themelore për të zgjedhur dhe respektimn e parimit të pluralizmit politik.

Ai tha se „mospjesëmarrja në zgjedhje e rreth gjysmës së votuesve, krijon rrezikun e një konflikti civil dhe thyerje të rendit kushtetues." „Anulimi i datës së zgjedhjeve më 30 qershor, është mjeti i vetëm emergjent për zgjidhjen e krizës së rëndë politike dhe parandalimin e një përshkallëzimi të pakontrolluar të saj" theksoi presidenti shqiptar.

Meta theksoi, se „partitë opozitare nuk kanë shprehur vullnetin politik për mos pjesëmarrje në zgjedhje, por mbështetur në fakte dhe të dhëna, kanë ngritur shqetësimin se ato nuk do të jenë të lira dhe të ndershme"

Krizë parlamentare dhe kushtetuese

Presidenti Meta vuri në dukje se Shqipëria ndodhet edhe në krizë kushtetuese: prej një viti vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese dhe së fundmi as Gjykatë të Lartë. „E gjithë kjo gjendje, është shumë shqetësuese dhe rrezikon seriozisht stabilitetin demokratik të Shqipërisë, për faktin se mekanizmat kushtetues që mbajnë nën kontroll dhe garantojnë ndarjen dhe balancimin midis pushteteve nuk janë funksionalë" tha Meta.

Një argument tjetër i rëndësishëm i Presidentit Meta është edhe mos cënimi i perspektivës europiane të Shqipërisë. „Integrimi Evropian i vendit, prej gati tre dekadash ka qenë dhe mbetet Objektivi Kombëtar i të gjitha forcave politike dhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë. Nëse, sot në vitin 2019, do të zhvilloheshin zgjedhje pa pjesëmarrjen e opozitës, kjo jo vetëm do bllokonte ?do hap përpara në këtë drejtim, por do të përcillte një mesazh të gabuar dhe aspak të vërtetë tek të gjithë partnerët ndërkombëtarë se Shqipëria është e orientuar drejt një qasje tjetër, të ndryshme nga ajo që ka zbatuar deri më tani" theksoi ai.

Meta bëri me dije se në konsultim me forcat politike do të firmosë dekretin presidencial për një datë tjetër të zhvillimit të Lokaleve 2019. Pas firmosjes së dekretit për anulimin e datës 30 qershor për Lokalet 2019, në prani të gazetarëve, Presidenti Meta, e mbylli konferencën re jashtëzakonshme për shtyp duke formuar me duar simbolin e shqiponjës. PS pas dekretimit të Metës për shfuqizimin e datës 30 qershor, deklaroi se të enjten, (13.06) do të nisë në Parlament procedurat për shkarkimin e tij.

(Kosova Sot Online)