Udhëheqësja e Hong-Kongut mbron ligjin për ekstradim, pavarësisht protestave

  • 10 June 2019 - 14:52
Udhëheqësja e Hong-Kongut mbron ligjin për ekstradim, pavarësisht protestave

Udhëheqësja e Hong-Kongut, Carrie Lam, tha se nuk do të heqë dorë nga një ligj kontrovers që do të lejonte ekstradimin në Kinë, pavarësisht protestave.

Të dielën, qindra-mijëra njerëz u mblodhën kundër ligjit, për të cilin kritikët druajnë se do t’i mundësojë Kinës të shënjestrojë kundërshtarët politikë në rajon.

Duke folur për gazetarët të hënën, Lam tha se ligji është i nevojshëm dhe se të drejtat e njeriut do të mbrohen.

“Projektligji nuk u iniciua nga qeveria qendrore”, tha Lam, duke iu referuar Pekinit.

Sipas mediave kineze, prapa protestave qëndrojnë “forca të huaja”.

Organizatorët thanë se në marshimin e së dielës morën pjesë rreth një milion njerëz, ndërsa sipas policisë 240,000.

Nëse shifra e organizatorëve konfirmohet si e saktë, ajo do të ishte demonstrata më e madhe në Hong Kong, prejse territori i është dorëzuar Kinës nga Britania, në vitin 1997.

Sipas parimit të ashtuquajtur “një shtet, dy sisteme”, Hong Kongu ka pavarësinë e tij gjyqësore, legjislaturën e tij, sistemin e tij ekonomik dhe dollarin e tij.

Pekini, ndërkaq, ruan kontrollin e çështjeve të jashtme dhe të mbrojtjes.

(Kosova Sot Online)