Skandali i Shpend Ahmetit, kërkohet urgjentisht dorëheqja e tij

  • 10 June 2019 - 18:07
Skandali i Shpend Ahmetit, kërkohet urgjentisht dorëheqja e tij

Kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në formularin e deklarimit të pasurisë në AKK, e ka fshehur banesën e tij që e posedon në Shqipëri, në Shëngjin, e cila është në emër të kreut të PSD-së.

Lidhur me këtë, analistët politikë kërkojnë që përveç masave ligjore të hetimit dhe të ndëshkimit, të kërkohet edhe largimi i Shpend Ahmetit nga pozita e kryetarit të Prishtinës.

Largimi i Shpend Ahmetit, sipas analistëve kërkohet jo vetëm për shkak të shkeljes ligjore, por edhe nga fakti pse a i ka mashtruar dhe po i mashtron për çdo ditë qytetarët kurse po e shton pasurinë e tij me veprime korruptive duke shitur leje ndërtimore. 

Image
Florim Zeqa

Analisti politik, Florim Zeqa tha për “Kosova Sot Online” se fshehja e pasurisë së zyrtarëve të lartë shtetërorë dhe partiakë në të dyja nivelet e qeverisjes, përveçse dukuri shëmtuese, është bërë shqetësim për qytetarët dhe barrierë e pakapërcyeshme për AKK-në dhe organizatat e tjera që monitorojnë pasuritë e paligjshme të politikanëve kosovarë.

“Fshehja e banesës së tij në Shëngjin në deklarimin e pasurisë nga ana e Shpend Ahmetit, përveç shkeljes ligjore, paraqet edhe aktin skandaloz të radhës. Fshehja e banesës dhe milionave të krijuar në mënyrë të paligjshme, paraqet mashtrimin e radhës nga kryetari që e ka degraduar Prishtinën”, tha analisti Zeqa për “Kosova Sot Online”.

Sipas analistit Zeqa, vetëm në një shtet ku nuk funksionon pothuajse fare drejtësia ndodhin shkelje të tilla e të ngjashme ligjore. 

Sipas tij, në shtetet perëndimore për akte të tilla të fshehjes së pasurisë, pason dorëheqja si akt moral, por në Kosovë, zyrtarëve shtetëror u shtohet krenaria dhe rritet pasuria njëkohësisht.

“Prandaj duhet të hetohet në mënyrë urgjente pasuria e Shpend Ahmetit nga organet kompetente dhe jo vetëm, nga qytetarët e Prishtinës duhet të kërkohet dorëheqja e menjëhershme tij. Dorëheqjen e Shpend Jahtit në komunën e Prishtinës, duhet ta kërkojë në radhë të parë lideri i LVV-së, zoti Albin Kurti, për të larë borxhin moral para qytetarëve për dëmin që i shkaktoi kryeqytetit me kandidaturën e Shpend Ahmetit. Për shkak se dyshohet se Shpend Ahmeti ka paluar dhjetëra miliona gjatë këtyre dy mandateve në komunën e Prishtinës duke shitur leje ndërtimore dhe duke bërë pazar tokat komunale me mafio-oligarkët”, përfundoi për “Kosova Sot Online”, analisti politik, Florim Zeqa.

(Kosova Sot Online)