Haradinaj për iniciativën e Veselit për veteranët: Nuk flas për çështje që po hetohen

  • 11 June 2019 - 11:36
Haradinaj për iniciativën e Veselit për veteranët: Nuk flas për çështje që po hetohen

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj pas mbledhjes së qeverisë ka folur edhe për iniciativën e kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli për formimin e një Komisioni Hetimor Parlamentar për veteranët e rrejshëm.

Haradinaj tha se respekton çdo vendim të Kuvendit, megjithatë thotë se nuk preferon që të ndërhyjë në tema me ta cilat drejtësia vetëm se është duke u marrë.

“Çdo obligim që merr parlamenti është i respektueshëm nga ana ime. E respektojmë dhe mendoj se sa i përket asaj teme është bërë temë e ndjeshme. Unë e kam njëfarë parimi që kur është lënda nëpër gjykata nuk jap shumë mendime të mia. Është mirë që t’ia lëmë drejtësisë që ta jap mendimin e vet”, tha Haradinaj. 

Në këtë konferencë ai ka folur edhe për dialogun me Serbinë, duke thënë se është e nevojshme arritja e një marrëveshje kornizë, lidhur me atë se çfarë do të diskutohet në tavolinë me Beogradin, duke treguar tashmë se tema e kufijve nuk mund të jetë pjesë e atyre bisedimeve, sepse Haradinaj thotë se për një gjë të tillë janë marrë vesh kur kanë nënshkruar IBM-in( marrëveshjen për Menaxhimin e Integruar të Kufijve).

(Kosova Sot Online)