Të gjitha vendimet që u miratuan sot nga Qeveria e Kosovës

  • 11 June 2019 - 12:33
Të gjitha vendimet që u miratuan sot nga Qeveria e Kosovës

Sot Qeveria e Kosovës mbajti mbledhjen e 106-të. Vendimi i parë në këtë mbledhje ka qenë dhënia e mendimit për iniciativën legjislative për Projektligjin për ndryshim dhe plotësim e Kodit të Drejtësisë për të Mitur, sipas përfundimit të Kuvendit të Republikës ë Kosovës.

Mendimi i Qeverisë me vlerësimet e Ministrisë së Drejtësisë, thekson se iniciativa për këtë Projektligj do të ndihmojë në eliminimin e paqartësive eventuale në procesin e zbatimit; vlerësimin e ndikimit buxhetor nga Ministria e Financave dhe vlerësimin e përputhshmërisë së iniciativës me legjislacionin e BE-së nga Ministria e Integrimit Evropian, do të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjithashtu, siç njofton edhe komunikata nga kryeministria, Qeveria ka miratuar vendimin për plotësimin dhe ndryshimin e vendimit për emërimin e anëtarëve të Bordit të Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike Qendrore Telekomi i Kosovës. Me vendimin e miratuar është zëvendësuar një anëtar i dorëhequr i këtij Bordi.

Me plotësimin dhe ndryshimin e vendimit të Qeverisë për themelimin e strukturave për zbatimin e pakos ligjore për Administratën Publike, është ndryshuar përbërja e Komisionit Ekzekutiv të kësaj strukture. Në këtë Komision do të shtohen edhe tre përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit. 

Duke vepruar sipas kërkesës së Komitetit Ndërministror për Kompleksin Memorial “Adem Jashari”, Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka ndarë mjete financiare në shumën prej 200 mijë eurosh, që do të përdoren për nevojat e realizimit të këtij projekti përmes angazhimit edhe të konsulencës së jashtme.

Avni Ahmeti, me vendimin e miratuar sot në mbledhjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, është emëruar drejtor i përgjithshëm në Agjencinë Kadastrale të Kosovës. Mandati i të emëruarit është tri (3) vite.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme ka aprovuar ndryshimin e listës së artikujve për përdorim të përbashkët, që janë objekt i procedurës qendrore të prokurimit publik në Republikën e Kosovës.

Kanë marrë aprovimin e kabinetit qeveritar edhe nismat për lidhjen e marrëveshjeve ndërkombëtare të Ministrisë së Financave dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ), për financimin e projektit “Parku Inovativ Trajnues në Prizren”; dhe nisma për marrëveshjen ndërkombëtare ne mes të Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë dhe Agjencisë Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (GIZ) për bashkëfinancimin e Projektit CETEP+ (Krijimi i vendeve të reja të punës përmes promovimit të eksportit).

Kryeministri Ramush Haradinaj ka kërkuar sqarime nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë për procedurat e akreditimit të programeve të studimit në institucionet e larta të arsimit në Republikën e Kosovës dhe bazat e ligjshmërisë së këtij procesi. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë ka sqaruar se baza ligjore e këtij procesi është Ligji për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës dhe implementohet nga Këshilli Kombëtar i Cilësisë dhe Agjencioni i Akreditimit të Kosovës. 

Me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, në bazë të kërkesës së familjeve të të rënëve, është miratuar vendimi që Forca e Sigurisë së Kosovës të vazhdojë me rivarrimin e të rënëve në Kompleksin Memorial në Marinë të Skenderajt.

Gjithashtu me propozimin e Ministrit të Mbrojtjes, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes është emëruar në pozitën e drejtorit të përgjithshëm të Qendrës së Mjekësisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës, ndërsa sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Zhvillimit Rajonal është transferuar në pozitën e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes.

(Kosova Sot Online)