Dështimi i madh, vjen kërkesa për deputetët kosovarë

  • 11 June 2019 - 13:19
Dështimi i madh, vjen kërkesa për deputetët kosovarë

Për pesë muaj, Kuvendi i Kosovës ka mbajtur veç 11 seanca plenare, duke dështuar në miratimin e shumë ligjeve të rëndësishme për vendin. E ky dështim i kuvendarëve kosovar, nga ana e analistëve politikë po vazhdon të vlerësohet si një nga legjislaturat më skandaloze dhe të dobëta që ka pasur parlamentarizmi kosovar i pas luftës.

Analisti politik, Dardan Grapci, tha për “Kosova Sot Online” është shqetësues pasiviteti i deputetëve që nuk i iniciojnë seancat përmbajtjesore për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.

Image
Dardan Grapci

“Skandaloz është fakti që kemi një kuvend me mbi 100 deputet, që po e shpërfillin besimin e dhënë të qytetarëve përmes votës dhe tani nuk janë në gjendje ta ngrehin zërin kundër ngecjes së zhvillimit të vendit dhe kundër padrejtësisë. Këta deputet nuk janë në gjendje të ngrenë zërin kundër korrupsionit, haraçit etj, por vetëm flasin në seanca që kurrë nuk po mbarojnë si duhet për të shënuar një rezultat të prekshëm, kurse nga ana tjetër nuk iu intereson se çka po ndodhë me qytetari”, tha Grapci për “Kosova Sot Online”.

Grapci thotë se seancat e radhës do të duhej trajtuar me përzgjedhje disa nga temat më të rëndësishme që e mbajnë peng të ardhmen e Kosovës.

“Unë mendoj që nga sot e tutje në Kuvend të Kosovës në 3 seancat e ardhshme të flitet se kush po qëndron mbrapa krimit të organizuar, kush janë ata përgjegjës që kanë marr ryshfet për ti “anëtarësuar” njerëzit si veteran të UÇK-së, por edhe se si të parandalohet ikja e shumtë e qytetarëve nga Kosova”, theksoi Grapci për “Kosova Sot Online”.

Sipas Grapcit, për këto tema do ishte mirë të flitet në 3 seancat e ardhshme dhe pastaj të krijohet një mundësi e re për hapjen e vendeve të punës për qytetarët , sidomos për rininë, e jo për familjarët e deputetëve dhe biznesmenëve të inkriminuar deri në fyt me monopole dhe abuzim me ligjin.

“Në çdo qytet të Kosovës duhet të shtrihet sundimi i barabartë i ligjit, të zbatohen kushtetuta dhe ligjet, sepse sipas pikëpamjes sime personale unë mendoj që ligjet dhe kushtetuta po shkelen kudo në mënyrë të pa mëshirshme dhe nuk po zbatohen. Prandaj do të ishte mirë që AKI-ja në bashkëpunim me Policinë e Kosovës me të vërtetë të fillojnë për ti hetuar të gjithë politikanët dhe biznesmenët të cilët e kanë sjellë Kosovën në këtë gjendje të mjerueshme, prandaj edhe nuk kanë faj rinia dhe qytetarët që po ikin nga ky vend” deklaroi ai për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Grapci thotë se qytetarët duhet të jenë tepër të vetëdijshëm që t’i ndëshkojnë këto parti politike të cilat e shkatërruan vendin për dy dekada.

(Kosova Sot Online)