Vuçiq duhet ta lexojë edhe një herë Marrëveshjen e Kumanovës para se ta bëjë gati ushtrinë

  • 11 June 2019 - 14:42
Vuçiq duhet ta lexojë edhe një herë Marrëveshjen e Kumanovës para se ta bëjë gati ushtrinë

Aksionet e Policisë së Kosovës në veri të territorit të Republikës së Kosovës, në shërbim të luftës kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës në atë pjesë, nga Beogradi gjithmonë janë komentuar si aksione kundër popullatës serbe atje, duke propaganduar skajshmërisht se si Kosova po i sulmon ata. ë

Përveç kësaj, reagonin edhe krerë të lartë shtetërorë, si ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq, i cili thoshte se do të nisej menjëherë për në Kosovë, ndërsa në anën tjetër Vuçiq tregonte se Serbia ka ngritur ushtrinë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë, dhe se do të ndërhynte në Kosovë për të mbrojtur qytetarët serbë.

Por të gjithë këto deklarata të presidentit serb dalin të jenë gënjeshtra dhe bëhen sa për të entuziazmuar nacionalistët serbë.

Kjo pasi që në vitin 1999, Qeveria e atëhershme e Serbisë, kishte nënshkruar një marrëveshje me KFOR-in, në bazë të së cilës, ushtria e Serbisë apo asnjë forcë tjetër nuk do të mund të hyjë më brenda territorit të Kosovës. Kjo marrëveshje njihet edhe si ‘Marrëveshja e Kumanovës”.

“Duke krijuar një ndërprerje të përhershme të armiqësisë, në asnjë rrethanë, asnjë forcë e RFJ-së dhe Serbisë nuk do të hyjë, ri-hyjë, apo të mbetet në territorin e Kosovës, ose në zonën e sigurisë tokësore, apo hapësirës ajrore siç përshkruhet në pikën 3 të nenit 1”, thuhet në një nga pikat e marrëveshjes.

Në pikën 4 të kësaj marrëveshjes, nën ndarja b), shpjegon se për të siguruar implementimin e kësaj marrëveshje, KFOR-i do të përdorë edhe forcën.

“ Për të siguruar mbështetjen dhe autoritetin e forcave ndërkombëtare të sigurisë (KFOR), në mënyrë të veçantë për të lejuar KFOR-in të ndërmarrë veprimet e kërkuara, përfshirë edhe përdorimin e forcës, për të garantuar Marrëveshjen, për mbrojtjen e forcave ndërkombëtare të sigurisë, KFOR do të kontribuoi për krijimin e një mjedisi të sigurt për praninë ndërkombëtare civile, organizatat tjera, agjencive dhe organizatave joqeveritare” thuhet në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet Serbisë dhe KFOR-it.

Ndër të tjera në marrëveshje, thuhej se forcat serbe duhet të përmbahen nga çdo akt armiqësor kundër çdo personi që jeton në Kosovë.

“Forcat e RFJ-së, menjëherë pas hyrjes në fuqi të kësaj Marrëveshje, do të përmbahen nga çdo akt armiqësor ose provokues të çdo lloji, të drejtuar kundër çdo personi në Kosovë, dhe do të urdhërojë forcat e armatosura të pezullojnë gjithë aktivitetet. Ata nuk do të organizojnë apo mbështesin demonstrata armiqësore ose provokative”, potencon Neni II, i marrëveshjes ku flitet për ndërprerjen e armiqësisë.

(Kosova Sot Online)