“Kosova është në krizë”, kërkohet edhe një intervenim ndërkombëtar për ‘çlirimin’ e saj

  • 11 June 2019 - 16:01
“Kosova është në krizë”, kërkohet edhe një intervenim ndërkombëtar për ‘çlirimin’ e saj

Kosova po e shënon 20 vjetorin e lirisë, ku SHBA-të dhe NATO intervenuan që Kosovën ta çlirojnë nga pushtuesi fashist serb. Mirëpo analistët politikë thonë që për këto dy dekada, Kosova nuk arriti të ndërtohet si shtet serioz i demokracisë, sundimit të ligjit dhe zhvillimit ekonomik.

Sipas tyre, ishte klasa politike e korruptuar që nuk lejoi të zhvillohet shteti, andaj sipas tyre, tani është koha që qytetarët dhe miqtë ndërkombëtar së bashku të nisin një tjetër betejë të re politike në mënyrë që ta çlirojnë edhe njëherë Kosovën, por tash nga politikanët kosovarë, të cilët vetëm e kanë shkatërruar shtetin.

Analisti politik, Blerim Burjani, tha për “Kosova Sot Online” se Kosova ka resurse dhe kapacitete për zhvillim, por duhet të çlirohet nga kjo klasë politike. 

Image
Blerim Burjani

“Shteti i Kosovës ka perspektivë por duhet të ndryshoj këtë klase politike të dëmshme , zhvatëse dhe plaçkitëse të parasë publike. Për të ndërtuar një shtet ligjor duhet ndryshuar qeverisjen në shtet dhe kjo është e mundshme me vetëdijesim qytetar. Qytetarët duhet të edukohen politikisht të mos votojnë njerëz social që tash janë bërë milioner me parat e tyre publike”, tha Blerim Burjani për “Kosova Sot Online”.

Ai ka thënë se në vend që buxheti i shtetit të orientohet në zhvillim, ai kryesisht po orientohet në konsum ditor ku buxheti shërben vetë për rroga mëditje dhe për korrupsion.

“Tash më janë instaluar grupet e mëdha kriminale qe 20 vjet të fuqishme që ose duhet ta respektojnë edhe pasurin e pabazë të njërit tjetrit ose mund të eskalojnë në dhunë. Është koha që populli të mos duron më shumë sepse ka sinjale edhe për mbështetje ndërkombëtare në këtë përpjekje, ngase sa ju takon institucioneve ekzistuese , deri tash nuk ka ndonjë lëvizje për shkatërrim të bandave kriminale që lidhen kryekëput me politikën e shteti”, theksoi Burjani për “Kosova Sot Online”. 

”Kosova është ende në krizë të madhe dhe e uzurpuar nga njerëz që dikur ishin bujkrobër e sot milioner politik, andaj shteti duhet të lirohet nga dhunimi i pasurive publike, prona publike është qytetarëve, e gjeneratave të reja. Atë duhet lënë atyre për perspektivë jo me plaçkitë në formë pirate pasurin e popullit”, përfundoi Burjani për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)