Shtatë të vdekur nga përmbytja e barkës së imigrantëve në Greqi

  • 11 June 2019 - 16:26
Shtatë të vdekur nga përmbytja e barkës së imigrantëve në Greqi

Zyrtarët grekë kanë thënë se të paktën shtatë persona kanë vdekur dhe 57 të tjerë janë shpëtuar pasi një barkë që po bartte imigrantë u përmbyt afër ishullit Lesbos. Trupat e dy fëmijëve, katër grave dhe dy burrave u nxorën nga uji të martën në mëngjes pranë portit të Mytelines.

Ndonëse autoritetet nuk kanë dhënë njoftim zyrtar lidhur me përkatësinë etnike të personave të mbytur, mediet lokale kanë raportuar se ata kanë prejardhje afrikane. Ekipet e shpëtimit po i vazhdojnë kërkimet për trupat tjerë të barkës së përmbytur, e cila ishte duke lundruar nga Turqia drejt ishullit të Lesbosit.

Të martën, roja bregdetare greke, e shoqëruar nga një anije patrulluese e Bashkimit Evropian, tha se i ka shpëtuar dhjetëra njerëz në Detin Egje pas përmbytjes së barkës rreth orës 7 të mëngjesit sipas kohës lokale.

Disa barka dhe një helikopter po përdoren nga autoritetet për të zhvilluar kërkime në rripin e ujit mes ishullit Lesbos dhe pjesës kontinentale të Turqisë, ndërsa personat e mbijetuar po merren në pyetje për numrin e njerëzve që kanë qenë në barkë.

Bashkimi Evropian e kishte arritur një marrëveshje me Turqinë në vitin 2016, e cila solli zvogëlim të numrit të njerëzve që hynin në Greqi. Sipas kësaj marrëveshjeje, të gjithë personat që arrijnë në ishujt grekë duhet të kthehen në Turqi, nëse nuk iu miratohet kërkesa për azil, shkruan “BBC”.

(Kosova Sot Online)