Deda citon Clinton-in, por thotë që në një Kosovë të kapur nuk është fituar ende paqja

  • 12 June 2019 - 11:37
Deda citon Clinton-in, por thotë që në një Kosovë të kapur nuk është fituar ende paqja

Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Ilir Deda, njëherësh edhe kreu i Alternativës, ka falënderuar presidentin Bill Clinton për atë që ka bërë për lirinë e Kosovës.

Teksa ka cituar një deklaratë të ish-presidentit amerikan “Ne e fituam luftën, ju fitoni paqen”, Deda thotë që në këtë 200vjetor paqja ende nuk është fituar pasi që Kosova vazhdon të jetë një shtet i kapur nga politikanë milionerë. 

Deputeti kosovar thotë se përpjekja për të prishur integritetin territorial të Kosovës gjithashtu është një tregues që paqja nuk ka fituar.

Reagimi i plotë:

Në 20 vjetorin e çlirimit falënderimi më i madh që mund t’i bëhet Bill Clintonit është kuptimi dhe pastaj veprimi drejt realizimit të pjesës së dytë të fjalisë së tij “Ne e fituam luftën, ju fitoni paqen”.

Shteti i kapur nuk është fitore e paqes.

Zhvatja nuk është fitore e paqes.

Milionerët në politikë me para të vjedhura nuk është fitore e paqes.

Nepotizmi nuk është fitore e paqes.

Padrejtësia e përditshme sociale nuk është fitore e paqes.

Mungesa e sistemit të drejtësisë nuk është fitore e paqes.

Pabarazia nuk është fitore e paqes.

Tentimi për prishje të integritetit territorial nuk është fitore e paqes.

Pandëshkushmëria nuk është fitore e paqes.

Arsimi i keq nuk është fitore e paqes.

Shëndetësia e dobët nuk është fitore e paqes.

Ikja nga Kosova nuk është fitore e paqes.

Në këtë 20 vjetor të çlirimit, duhet të ketë vendim kolektiv për fitore të paqes, që 21 vjetorin ta festojmë si fitues.

(Kosova Sot Online)