‘Godet’ ish agjenti i SHIK-ut: Kjo i duhet Kosovës që të...

  • 12 June 2019 - 16:19
‘Godet’ ish agjenti i SHIK-ut: Kjo i duhet Kosovës që të...

Mungesa e plotë e funksionimit të sistemit të drejtësisë, zbatimit të ligjit dhe luftimi i korrupsionit sipas standardeve të BE-së, do ta lë Kosovën edhe për shumë kohë njollë të zezë në Ballkan dhe pa perspektivë të qartë evropiane. Kështu mendon njohësi i fushës së sigurisë dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.

Sipas tij, Kosova aktualisht po kalon periudhën më të vështirë që nga paslufta, pasi të gjithë kameleonët e politikës kosovare janë bërë bashkë për të shuar përkohësisht shpresat e shoqërisë për një pastrim të institucioneve nga elementët kriminalë, gjë e cila sipas Miftarit, ka bërë që të dështojë tërësisht sistemi i drejtësisë për të zbatuar ligjin dhe për të treguar se secili duhet të japë llogari para ligjit.

E për ta tejkaluar këtë gjendje, sipas Miftarit, Kosova duhet të ketë gjyqësi, polici dhe prokurori të pa varur nga politika dhe nga klanet e ndryshme të interesit. 

“Pra, Kosovës i duhet vetëm zbatimi i ligjit me përpikëri dhe i pa ndikuar nga jashtë. Prandaj mundë të them lirisht se nuk është i vërtetë pohimi i politikaneve tjerë apo i ministrit të drejtësisë z. Tahiri i cili thotë se Kosova ka pasur mungesë ligjesh prandaj ka ngecje akoma në luftimin e dukurive negative. Kjo është gënjeshtër e radhës veç për ta arsyetuar dështimin e 20 viteve. Kosova ka pasur ligje, ka edhe sot ligje të mira por nuk ka kush i zbaton kur janë në pyetje për tu dënuar kokat e krimit të organizuar që janë po ashtu koka politike”, tha Miftari për “Kosova Sot Online”.

Më tej, ai deklaron se Kosova nuk duhet vetëm të flas për dështimin dhe të improvizon kinse po angazhohet për sundimin e ligjit, por duhet të angazhohet seriozisht që të arrijë hapin e humbur dhe ta kthen shpresën e anëtarësimit të Kosovës në BE.

“Kosova nuk duhet të punoj vetëm për hatër të huajve, siç po veprohet deri më sot, kur ndërmerren disa veprime të zbehta e të shpejta si kundër reaksion i kritikave nga të huajt, po por duhet të pozicionohet karshi interesit të qytetarëve, pa marr para sysh cilit krah apo parti i takon pushteti. Kosova duhet me qenë shtet i qytetarëve, shtet i zbatimit të i ligjit neutral por jo i mafies politike të Hashimav , Kadrijav, Isav, Ramushav, Fatmirav e të Shpendav. Për të pasur shtet në interes të qytetarit, Kosova duhet ta bëjë pastrimin e plotë të organeve shtetërore të drejtësisë: prokurorisë, policisë, gjyqësisë dhe inteligjencës. Pra duhet të jetë shteti i së drejtës prioritet dhe rruga e vetme nëse duam të dalim nga anarkia dhe nga pozita e një shteti të dështuar, shtet karikaturë ku qytetari është vetëm lodër e skllavo pronarëve dhe politikanëve të korruptuar”, nënvizoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

Për fund, Miftari thotë se për tu arritur kjo, nevojitet edhe vetëdije qytetare por edhe mbështetje e fuqishme nga ndërkombëtarët, në këtë rast nga miqtë amerikan.

“Për të arritur sigurt në këtë sak i vetmi që ka mundësi dhe kapacitet për të imponuar ndryshimet është populli që në zgjedhjet e ardhshme të mendoj mirë se kujt po ia beson votën, dhe më pastaj një ndryshim pozitiv mundë të vij edhe nga mbështetja e miqve, sikur është mbështetja e ambasadorit amerikan Philip Kosnnet, nëse vazhdon dhe e "godet" krimin e organizuar në kokën politike, duke filluar nga presidenti Hashim Thaçi e te poshtë. Pra do të thotë që nëse kokat e krimit dhe korrupsionit në Kosovë neutralizohen dhe eliminohet, duke i dekonspiruar dhe prangosur të gjithë politikanët mafioz”, përfundoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)