20 vjet nga liria që e solli NATO-ja, Kosova në paqartësi

  • 12 June 2019 - 16:42
20 vjet nga liria që e solli NATO-ja, Kosova në paqartësi

Deri tash në Kosovë, shpata ka funksionuar më mirë se plugu. Janë bërë saktësisht 20 vjet nga koha kur NATO-ja shkeli në ish-rajonin e Jugosllavisë, pasi bombardimet e shteteve aleate i dhanë fund dhunës ndaj kryengritjes së shumicës shqiptare të Kosovës, vend që nga serbët cilësohet si zemra e tyre historike dhe fetare.

Ndonëse tash është e pavarur, Kosovës dhe 1.8 milionë banorëve të saj i mungon njohja e plotë ndërkombëtare. Forcat e NATO-s janë ende aty dhe marrëdhëniet me Serbinë kanë mbetur të brishta, pavarësisht përpjekjeve disavjeçare të ndërmjetësimit nga Evropa.

Situata nuk po ndihmohet nga fakti që të dyja vendet udhëhiqen nga politikanët që kanë qenë thellë të përfshirë në ngjarjet e vitit 1999, të cilat i lanë më shumë se 10 mijë njerëz të vdekur. Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ishte ndihmës i afërt i Slobodan Milosheviqit, ndërsa homologu i tij kosovar, Hashim Thaçi, i ka udhëhequr kryengritësit shqiptarë.

Përkrahësit kryesorë të fushatës ajrore të NATO-s që zgjati 78 ditë, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, ish-sekretarja amerikane e shtetit, Madeleine Albright dhe ish-komandanti i NATO-s, Wesley Clark, ishin në Prishtinë të mërkurën për të marrë pjesë në shënimin e përvjetorit të çlirimit.

I përshëndetur nga rreth 3000 njerëz në sheshin “Skënderbeu”, Clinton tha se qëndrimi i tij pranë kosovarëve kundër pastrimit etnik dhe për fitimin e lirisë ka qenë nderi i tij më i madh jetësor.

Ish-presidenti Clinton është shumë i popullarizuar në Kosovë dhe një statujë prej tri metrash e gjysmë me ngjyrë ari e figurës së tij qëndron në një pjesë tjetër të kryeqytetit.

Clinton kërkoi nga kosovarët që asnjëherë të mos i harrojnë sfidat që kanë përpara. “Një formë e re e guximit dhe durimit është e nevojshme për ta ndërtuar të ardhmen”, tha ai.

Me këtë deklaratë pajtohet edhe analisti nga Prishtina, Shkelzen Maliqi, i cili tha se, pavarësisht përparimit në ndërtimin e institucioneve shtetërore dhe ushtrisë, Kosova ende ka shumë punë për t’u bërë shtet funksional në secilin aspekt.

Sipas vëzhguesve ndërkombëtarë, ekonomia e Kosovës është e dobët, ka shkallë të lartë të varfërisë dhe papunësisë dhe sundimi i ligjit dhe institucionet demokratike janë të plogëta.

Një ngushëllim i vogël është që ekipi kombëtar i futbollit po ecën mirë në kualifikimet për Kampionatin Evropian, ndonëse organizatorët ishin të detyruar të sigurohen se ata nuk do të luajnë kundër Serbisë. Dy yjet ndërkombëtare të popit, Dua Lipa dhe Rita Ora, janë kosovare, ndonëse jetojnë në Britani të Madhe, dhe Kosova shpreson se së shpejti do t’i lejohet pjesëmarrja në Eurovizion, pavarësisht ankesave të Serbisë.

Sidoqoftë, problemi kryesor është situate e harresës së Kosovës në rrafshin ndërkombëtar. Pavarësisht shpalljes së pavarësisë nga Serbia në vitin 2008 dhe njohjes së shtetësisë nga 115 vende, përfshirë Shtetet e Bashkuara dhe shumicën e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, ajo ende nuk njihet nga Serbia dhe aleatet e saj, Rusia dhe Kina.

“Kosova është një shtet i pavarur në mënyrë të pakthyeshme, por ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara për shkak të vetos së Rusisë. Pesë shtete të BE-së nuk e kanë njohur Kosovën, duke e ndihmuar në këtë mënyrë Rusinë që ta mbajë situatën e konfliktit të ngrirë në rajon”, thotë Maliqi.

Shumë kosovarë ndihen të lënë anash nga komuniteti ndërkombëtar. Ata janë qytetarët e vetëm të ish-bllokut lindor që nuk kanë të drejtë të udhëtojnë pa viza në shtetet e BE-së, pavarësisht një marrëveshje me Brukselin, për të cilën Prishtina thotë se e ka përmbushur përmes nënshkrimit të marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi pas presionit disavjeçar të Perëndimit.

Agron Bajrami, kryeredaktor i gazetës “Koha Ditore”, gjithashtu e vë në pah mungesën e pajtimit me Beogradin.

“Ndërtimi i marrëdhënieve normale me agresorin e deridjeshëm, Serbinë, nuk ka ecur mirë, pavarësisht ndërmjetësimit të BE-së”, tha ai.

Dialogu që filloi në vitin 2011 është bllokuar që nga viti i kaluar pasi Kosova vendosi taksë prej 100 për qind për të gjitha prodhimet e Serbisë dhe të Bosnjës, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për ta larguar këtë masë.

Kosova këmbëngul për njohje të plotë të shtetësisë së saj si rezultat përfundimtar të bisedimeve, diçka që, së paku momentalisht, nuk është e pranueshme për Serbinë.

Një shkëmbim i territoreve që do ta përfshinte dhurimin e enklavave serbe me pasuri minerale dh burime ujore dhe marrjen e territorit jugor të Serbisë që është i banuar me shumicë shqiptare ishte paraqitur si ide vitin e kaluar nga presidentët Vuçiq dhe Thaçi. Megjithatë, kjo ide u kundërshtua ashpër nga shtetet evropiane dhe duket se tashmë është mbyllur në sirtar.

Një samit i ri rajonal në Paris më 1 korrik, i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, pritet ta ketë fokusin më tepër për ta bindur Prishtinën që ta largojë masën tregtare, sesa për arritjen e marrëveshjes ligjërisht të detyrueshme mes dy vendeve.

Ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara e përmblodhi ndjenjën e mungesës së shpresës gjatë një fjalimi në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara këtë vit.

“Është shokuese dhe thjesht e pabesueshme që ky këshill ka mbajtur më shumë seanca për të folur për Kosovën sesa për Sirinë, Jemenin ose Venezuelën pa shënuar përparime”, tha ajo, shkruan “Daily Mail”.


(Kosova Sot Online)