Blair i drejtohet Kosovës, lë të kuptohet se mund të përfshihet në dialogun për paqe me Serbinë

  • 12 June 2019 - 18:47
Blair i drejtohet Kosovës, lë të kuptohet se mund të përfshihet në dialogun për paqe me Serbinë

Ish-kryeministri i Britanisë Madhe, Tony Blair, në një mesazh drejtuar popullit të Kosovës me rastin e 20 vjetorit të lirisë, ka lënë të kuptohet se mund të përfshihet personalisht në procesin dhe dialogun për paqe me Serbinë.

Ish-kryeministri britanik, Tony Blari, me rastin e shënimit të 20 vjetorit të hyrjes së NATO-së në dhe çlirimit të Kosovës, i është drejtuar përmes një video mesazhi të gjithë shqiptarëve të Kosovës.

Ai thotë që vendimi për të bombarduar Serbinë ka qenë një vendim historik, pasi ka parandaluar vrasjet e mëtejshme të shqiptarëve, dhe gjithashtu ka mbrojtur të drejtat e njeriut e ka siguruar stabilitetin e Ballkanit dhe në përgjithësi të Evropës.

“Në fillim të vitit 1999, NATO-ja e mori një vendim historik për të ndërhyrë për parandalimin e humbjes së jetëve në Kosovë, për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut dhe për të siguruar stabilitet të rajonit të Ballkanit dhe tërë Evropës”, ka thënë Blair. Ndër të tjera ai thotë që do të angazhohet edhe personalisht, që në Ballkan të arrihet një paqe afatgjate, duke lënë të kuptohet se në një formë apo tjetër ai do të përfshihet për zgjidhjen e problemit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Personalisht, zotohem edhe sot se do të bëj gjithçka që mundem për ta arritur paqen afatgjate dhe për ta kërkuar një vend në zemër të Evropës për të gjitha vendet e Ballkanit”, shton tutje Blair.

Sipas tij, Kosova e ka vendin në Bashkimin Evropian, siç e kanë të gjitha vendet tjera të Ballkanit.

Ndërsa drejtuar popullit të Kosovës, Blari thotë se Perëndimi kishte qenë në anën e shqiptarëve të Kosovës 20 vjet më parë dhe do të vazhdojë që të jetë edhe më tej.

Siç potencon ish-kryeministri britanik, Kosova si një shtet i pavarur dhe sovran të ardhmen e vetë duhet ta shoh brenda familjes Evropiane.

“Për popullin e Kosovës, ne ishim me ju para 20 vjetëve, do të vazhdojmë të jemi. Ju keni vuajtur shumë, por ju asnjëherë s’jeni dorëzuar. Duhet të ndërtoni të ardhmen. Një shtet i pavarur dhe sovran, brenda familjes së shteteve Evropiane. Ky është një vizion, dhe ky vizion shpresoj që të jetë e ardhmja dhe realiteti për kosovarët. Ne jemi me ju, iu mbështesim dhe iu falënderojmë”, përfundon Blair në fjalimin e tij.

 
Videomesazh nga Tony Blair!

Tony Blair, ish-kryeministri britanik, ka dhënë kontribut shumë të madh për lirinë tonë. Në shenjë të falënderimit dhe respektit të madh që populli ynë ka për të, sot shumë të rinj kosovarë me krenari e bartin emrin e tij. Kosova, populli ynë, asnjëherë nuk i harron miqtë. Faleminderit për gjithçka që keni bërë për Kosovën! Faleminderit edhe për këtë videomesazh! HTH

Posted by Hashim Thaçi on Wednesday, June 12, 2019

(Kosova Sot Online)