E zbulon profesori i njohur: Ja pse nuk po ngritën aktakuzat nga Gjykata Speciale

  • 13 June 2019 - 07:50
E zbulon profesori i njohur:  Ja pse nuk po ngritën aktakuzat nga Gjykata Speciale

Kuvendi i Kosovës me 3 gusht të vitit 2015, kishte miratuar vendimin për themelimin e Gjykates Speciale për krimet e kryera në Kosovë. Por kur kanë kaluar 4 vite që nga themelimi i saj, Specialja ende nuk ka ngritur asnjë aktakuzë, ani pse kohëve të fundit ka intervistuar një numër të madh të personave, kryesisht ish komandantë dhe ushtarë të UÇK-së.

Njohësit e sistemit të drejtësisë në Republikën e Kosovës vlerësojnë e vonimi i veprimit të kësaj gjykate ka të ngjarë të ndodhë për shkak të situatave të pa favorshme politike nëpër të cilat ka kaluar Kosova për këto 4 vite të mbetur mbrapa, e që sipas analistëve kanë mundur të ndikojnë edhe në vonesën e punës së Prokurorisë për të hetuar dhe ngritur aktakuzat.

Image

Këtë ndërlidhje të funksionimit të dobët mes Prokurorisë dhe Gjykatës e konstaton edhe eksperti i së drejtës, profesor, Riza Smaka.

“Gjykatat, në përgjithësi, në çështjet juridike-penale varen nga prokuroritë publike përkatëse nga se pa ngritje të aktakuzave të tyre, ato, pra gjykatat, nuk mundë të veprojnë. Deri në stadin e dorëzimit të aktakuzave kundër personit përkatësisht personave të dyshuar për kryerje të krimit apo të krimeve , përgjegjësia është e prokurorive publike përkatëse”, tha prof. Smaka për “Kosova Sot Online.

Ndryshe sipas profesor Smakës, pas dorëzimit të aktakuzave të para, atëherë duhet të matet edhe përgjegjësia e veprimit apo mos veprimit edhe të Prokurorive por edhe të Gjykatës sipas afateve ligjore.

“Rrjedhimisht përgjegjësinë e mbajnë gjykatat përkatëse veçanërisht referuar (pa) përfilljes së afateve të cilat në raste jo të pakta nuk procedohen në kohë as nga prokuroritë as nga gjykatat. Pas fillimit të procedurës duhet të shikohen dhe të ndiqen të gjitha ecuritë sepse mundë të ketë edhe pasoja kundërligjore e për aq të dëmshme, ndër të tjera të parashkrimeve, që do të thotë të absolvimeve antiligjore të kryeseve të krimeve të caktuara”, tha prof Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

“Prandaj edhe Kuvendi i Kosovës si votues dhe themelues i këtij institucioni të drejtësisë me bazë ligjore e kushtetuese, do të duhet diskutuar dhe kërkuar llogaridhënie duke përcjellë punën e këtij institucioni së bashku me KPK-në dhe KGJK-në hap pas hapi. Po ashtu jo në pak raste të akuzuarit dënohen me sanksione juridike jo adekuate, virtuelisht, stimulative në vend të destimulative për veprime antiligjore madje edhe për recidivitete.

Një nga çështjet problemore në këtë kontekstitet e kompleksitet të çështjes në fjalë është fakti se nuk aplikohen masa ndëshkimore kundër shpërfillësve të ligjit në fuqi gjatë procedimeve të çështjeve juridike penale! Këtë problematikë do të duhej që urgjentisht e seriozisht ta trajtonin Këshillat Prokuroriale e Gjyqësore si dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës", tha prof. Riza Smaka për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)