Pushojnë hetimet ndaj policit që u dyshua se zbuloi për media veprën penale të djalit të Shefit të AKI

  • 13 June 2019 - 12:28
Pushojnë hetimet ndaj policit që u dyshua se zbuloi për media veprën penale të djalit të Shefit të AKI

Rreth pesë muaj kishte qenë i suspenduar nga puna, polici kosovar, Afrim Karaxha, nën dyshimin se kishte zbuluar për media që Shpëtim Maxhuni, djali i shefit të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë është përfshirë në një rast penal. Por, pas pesë muajve, prokuroria kosovare e ka hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj policit Karaxha, duke i pushuar në këtë mënyrë hetimet ndaj tij me datë 10 maj të këtij viti.

Afrim Karaxha, pjesëtar i policisë së Kosovës, po hetohej qe pesë muaj nga ana e institucioneve kosovare për keqpërdorim të detyrës zyrtare si dhe për veprën tjetër zbulim i fshehtësisë zyrtare.

Por për të dyja këto vepra, prokuroria e shëtit, departamenti për krime të rënda, ka vendosur që t’i pushojë hetimet ndaj Karaxhës. Kjo me arsyetimin se hetimet nuk kanë gjetur asnjë element se i njëjti ka kryer këto vepra.

Lajmin për pushimin e hetimeve e ka konfirmuar, kryeprokurori në largim në Prishtinë, Imer Beka.

Ai ka treguar  se Karaxha po hetohej për dy vepra penale. Por që për asnjërën nga to, hetuesit nuk kanë gjetur fakte për t’i mbështetut akuzat. 

“Po mund të ju konfirmojë se hetimet ndaj të lartcekurit kanë përfunduar. Prokuroria i ka pushuar hetimet ndaj tij”, ka deklaruar Beka.

“Është marrë aktvendim  për pushim të hetimeve për shkak se nuk ekziston asnjë dyshim i arsyetueshëm se i pandehuri i lartcekur e ka kryer veprën penale që i vihet në barrë, apo ndonjë vepër tjetër me anë të së cilës ai do të ndiqet sipas detyrës zyrtare”, ka sqaruar tutje kryeprokurori Beka.

E në nëntorin e vitit të kaluar Inspektorati Policor i Kosovës pas hetimeve disa javore i kishte  rekomanduar drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, që të suspendojë këtë zyrtar policor për shkak të dyshimit se ka zbuluar informata të ndjeshme për media.

Qalaj e kishte nënshkruar rekomandimin e IPK-së, duke e bërë të plotfuqishëm vendimin për suspendim.

(Kosova Sot Online)