Wesley Clark kujton një nga momentet më të vështira të vitit 1999 në Kosovë

  • 13 June 2019 - 12:57
Wesley Clark kujton një nga momentet më të vështira të vitit 1999 në Kosovë

Trupat tokësore të NATO-s arritën në Kosovë 20 vjet më parë pasi aleanca përzuri forcat serbe në një fushatë ajrore 78 ditore që përfundoi një nga konfliktet më të dhunshme të Evropës.

NATO ka ende një mision paqeruajtës në vend, por rruga drejt pavarësisë për Kosovën ka qenë e vështirë.

Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e Kosovës edhe 20 vjet pasi Beogradi humbi kontrollin e këtij vendi.

Kështu e fillon një shkrim, mediumi prestigjioz Euronews, në të cilin gjenden edhe citate të një interviste me ish-komandantin e lartë të aleancës së NATO-s, Wesley Clark, për legalitetin e ndërhyrjes së NATO-s.

Mediumi në fjalë, përcjell Telegrafi, ka publikuar edhe videon në të cilën Clark flet rreth ngjarjeve të atyre ditëve.

“NATO e përdori forcën si një mjet të fundit, të fundit, përballë spastrimit etnik – për të ndaluar pastrimin etnik dhe për të detyruar një zgjidhje diplomatike”, tha Clark për Euronews nga Prishtina, Kosovë.

Ndryshe, Clark ishte në Prishtinë, Kosovë për festimet e përvjetorit të 20-të të hyrjes së forcave të NATO-s në Kosovë, së bashku me ish-presidentin e SHBA-së, Bill Klinton dhe ish-sekretaren e Shtetit, Madeleine Albright.

Dhe gjatë intervistës, Clark ka kujtuar një nga momentet më të vështira.

“Më kujtohet makthi i ambasadorëve të NATO-s, kur u bë e qartë se nuk kishte zgjidhje tjetër përveçse të përdorej forca për ta sjellë Millosheviqin në tryezën e negociatave”, vazhdoi Clark. 

Clark, siç shkruan Euronews, pastaj e quajti fushatën ajrore, të quajtur Forca Operacionale Aleate, “operacioni më i suksesshëm i NATO-s” dhe mbrojti vendimin e NATO-s për të ndërhyrë në konflikt pa një rezolutë të OKB-së.

Ai tha se kombet “teknikisht” ishin të autorizuar të merreshin me krizën e refugjatëve dhe e quajti ndërhyrjen “përdorim i diplomacisë, të mbështetur nga forca”.

Clark tha se sheh shpresë për të ardhmen e të dy vendeve, duke deklaruar se “ndoshta në një të ardhme të largët pasi kujtimet janë zbehur, më shumë progres mund të bëhet në mënyrë diplomatike”.

Por një gjë të tillë, Euronews e sheh me dyshim, pasi që, sipas këtij mediumi, tensionet midis dy vendeve u rritën kohët e fundit pasi policia në Kosovë arrestoi serbët në Kosovën e veriut si pjesë e një misioni anti-kontrabandë.

Ky medium gjithashtu kujton faktin se si presidenti serb Aleksandar Vuçiq përshkroi ndërhyrjen e NATO-s këtë javë si “19 vendet më të fuqishme që sulmojnë një vend të vogël të përkushtuar për liri”, sipas AFP.

(Kosova Sot Online)