Aktakuzat e Gjykatës Speciale, alarmon rëndë ish agjenti i SHIK-ut

  • 13 June 2019 - 15:40
Aktakuzat e Gjykatës Speciale, alarmon rëndë ish agjenti i SHIK-ut

Duke folur për ngritjen e aktakuzave nga Gjykata Speciale, edhe pse kanë kaluar 4 vite që nga themelimi i saj, ish agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari, thotë për “Kosova Sot Online”, se edhe në Gjykatën Speciale ka arritur që të ndikojë politika, gjë që po ndikon në vonesat e aktakuzave.

“Mos ngritja e akuzave, apo vonesat e qëllimshëm dhe devalvimet e planeve vijnë kryekëput nga ndikimet e politikanëve të korruptuar dhe aferat e tyre milionëshe që akoma anashkalohen nga ana e gjykatës speciale. Kjo lojë tregon më së miri, tregon qartë se Gjykata Speciale nuk e ka mision luftën për atë që është krijuar, dyshimet që janë ngritur, as kundër krimit të organizuar, por ka mision primar ruajtjen nga dënimi ruajtjen e pasurive të fituara ilegalisht e bosëve të tyre politikë që janë të njëjtit edhe bosët e nëntokës kriminale te Kosovës”, tha Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

Image
Naim Miftari

Më tej, ai deklaron se ka dyshime që edhe prokurorja Speciale e këtij tribunali ka filluar të ndikohet nga politika për lojëra të ndyta.

“Dhe përdorja e prokurorëve special për lojëra të ndyta politike, për shantazhe dhe kryqëzime të kundërshtarëve politik është modë mjaftë e përhapur në drejtësinë e bosëve të Kosovës, ndikimet politike nga padronët e tyre politik në drejtësi janë shumë të qarta dhe vetëm le ta marrim këtu për shembull ministrin e Drejtësisë i cili dihet shumë mirë se është vetëm lodër dhe zëdhënës i Hashim Thaçit Kadri ,Veselit dhe në përgjithësi lodër në duart e klanit Pronto”, theksoi Miftari për “Kosova Sot Online”.

Miftari është i sigurt që edhe Gjykata Speciale ka rrezik të përdoret tani për kryqëzimin e kundërshtarëve politikë nga klanet e ndryshme politike. 

“Në këto lojëra të ndyra shpesh herë keqpërdoren edhe faktet edhe përgjimet që në shumë raste i bëjnë ilegalisht policja dhe AKI-ja për interesa të Hashimëve, Kadrive, vetëm për ti kryqëzuar kundërshtarët e vetë politik por edhe për ti kryqëzuar dhe kontrolluar edhe konkurrentet e tyre edhe nga brenda vetë partive të tyre apo sidomos konkurrentët e bizneseve t tyre që i posedojnë përmes Oligarkëve të tyre nën hije. Tani edhe akuza munden me ju ngrit ndokujt, sot për sot por ato akuza mundë të ju ngritën vetëm “Kokave Turke” apo kundërshtarëve të tyre opozitar apo edhe nga pozita, nëse bëhen të pa dëgjueshëm ndaj bosëve të tyre”, përfundoi Naim Miftari për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)