Dy ditë pas arrestimit të kunatit të Enver Hoxhaj, nënshkruhet marrëveshja për eksdradim me SHBA-të

  • 13 June 2019 - 16:27
Dy ditë pas arrestimit të kunatit të Enver Hoxhaj, nënshkruhet marrëveshja për eksdradim me SHBA-të

Dy ditë pas arrestimit të Imer Shahinit, kunatit të zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë nënshkruar sot protokollin për Marrëveshjen e Ekstradimit mes dy vendeve. 

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe Zëvendës Ndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit, z. Matthew Palmer, kanë nënshkruar sot protokollin e instrumenteve të Ratifikimit të Marrëveshjes së Ekstradimit në mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ministri Tahiri ka theksuar se ky nënshkrim shënon një rast historik për marrëdhëniet dypalëshe në mes dy vendeve në fushën e bashkëpunimit juridik.

Kjo marrëveshje është nënshkruar dy ditë pas arrestimit të Imer Shahinit, vëllait të Remzie Shahini-Hoxhës, gruas së zv/kryeministrit Enver Hoxhaj, i cili kërkohet nga FBI-ja amerikane nën akuzat për mashtrim milionësh.

Shahini është në mesin e shtatë personave të akuzuar nga FBI-ja për përfitim të jashtëligjshëm dhe mashtrim në Distriktin Jugor të New York-ut. Kosovari, në bashkëveprim me gjashtë persona të tjerë, disa prej tyre tashmë të arrestuar, akuzohen se ilegalisht kanë përfituar 20 milionë dollarë përmes mashtrimeve.

Aksioni i Policisë së Kosovës, i cili nisi me arrestimin e Imer Shahinit të martën, ka vazhduar edhe të mërkurën.

(Kosova Sot Online)