Harruan Rugovën dhe Jasharin, vjen reagimi i ashpër: Po lëkundin themelet e shtetit tonë...

  • 14 June 2019 - 07:46
Harruan Rugovën dhe Jasharin, vjen reagimi i ashpër: Po lëkundin themelet e shtetit tonë...

Analisti politik, Faton Abdullahu, duke folur për “Kosova Sot Online”, lidhur me ceremoninë për nder të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, e ku asnjëri nga liderët shtetërorë nuk e pamendi ish presidentin, Ibrahim Rugova dhe komandantin legjendar, Adem Jashari, ka kritikuar ashpër koalicionin PAN.

“Koalicioni PAN nuk di të bashkohet, ashtu sikur porosiste dikur presidenti historik Ibrahim Rugova, se ky koalicion nuk bëhet bashkë as kur kjo është jetike për fatin e Kosovës, siç është rasti për dialogun me Serbinë, por ata vazhdojnë të jenë të përçarë dhe kështu të shkojnë në Berlin e gjetiu, kurse për dështimet fajësojnë edhe BE-n e nganjëherë bile edhe SHBA-n e më shumti njëri tjetrin dhe harrojnë krejtësisht rrjedhën historike se si erdhëm deri te shteti i Kosovës”, tha Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

Image

Sipas tij, në këtë ceremoni u anashkaluan dhe u harruan presidenti i parë, Ibrahim Rugova dhe heroi legjendar, Adem Jashari.

“Prandaj është rrjedhë logjike se në manifestime si kjo për 20 vjetorin e çlirimit të harrohen dhe anashkalohen edhe Presidenti i parë Ibrahim Rugova edhe heroi legjendar Adem Jashari. Amaneti që del nga vepra e tyre se, ne duhet të jemi bashkë të flijohemi për të mirën e përgjithshme dhe të kemi miqësi të përhershme me SHBA-t dhe të tjerët që na ndihmuan, po degradohet vazhdimisht. Për dallim pushtetarët aktual flijojnë çdo gjë vetëm që të mbetet në pushtet’, tha analisti Faton Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

Prandaj sipas Abdullahut, duke pasur lider të tillë të pa përgjegjshëm në qeverisje të vendit, edhe marrëdhëniet tona me aleatët tanë ndërkombëtarë kurrë nuk kanë qenë në nivel më të ulët.

Ai ka thënë se këta lider politikë kujtohen për heronjtë dhe figurat emblematike të historisë së Kosovës vetëm kur ju nevojiten atyre për konsum politik, por jo për ta lartësuar dhe vlerësuar veprën e tyre.

“Përkujtimi i heronjve dëshmorëve e martirëve ka kuptim vetëm kur kjo bëhet me qëllimin që të lartësohen si shembull për tu ndjekur. Vizitat dhe lulet tek përmendoret shtatoret e varrezat nuk i mbajnë gjallë amanetet e dala nga flijimet, por puna e përbashkët e pa hile për ta ndërtuar këtë vend. Vështruar nga kjo prizëm janë pushtetarë e sotëm ata që po i rrëzojnë këto monumente çdo ditë nga pak, me çka po i lëkundin themelet e shtetit tonë ende të brishtë’, përfundoi analisti politik, Faton Abdullahu për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)