Kërkesa skandaloze për Serbinë, Haradinajt i vjen goditja e rëndë

  • 14 June 2019 - 07:52
Kërkesa skandaloze për Serbinë, Haradinajt i vjen goditja e rëndë

Gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës dhe intervenimit të SHBA-së dhe NATO-s, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj i bëri thirrje për pajtim Serbisë.

Analistët politikë e cilësojnë skandaloze kërkesën e Haradinajt drejtuar shtetit serb për të shtrirë dorën e pajtimit.

Image

Sipas analistëve politikë, ky është vetëm edhe një skandal tjetër që del nga Haradinaj, pasi sipas tyre është Serbia shteti që duhet t’i drejtohet Kosovës për kërkim falje dhe pajtim, e jo Kosova t’i kërkojë Serbisë.

Sipas analistit politik, Faik Krasniqi kjo sjellje sikur tregon një farë nënshtrimi ndaj Serbisë nga politikanët kosovarë të cilët sikur po i harrojnë krimet serbe në Kosovë dhe nuk po guxojnë t’i kërkojnë Serbisë kompensimin e dëmeve të luftës.

“Askund në botë nuk ka ndodhur që viktima t'i kërkoj pajtim vrasësit. Kurse ne bëjmë kërkesa të tilla. Është shumë e çuditshme çfarë kërkesash bënë lidershipi ynë. Në vend se të kërkojnë nga Serbia kompensimin e dëmeve të luftës, ata kërkojnë pajtim me xhelatin. Në anën tjetër Serbia edhe pse agresore lëre që nuk dëshiron të pajtohet me ne, por kërkon që të na fshij nga faqja e dheut”, tha analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

Sipas Krasniqit, pajtimi me Serbinë është i pa mundur, nëse këtë pajtim nuk e imponojnë forcërisht fuqitë e mëdha të ndikimit politiko ushtarak ndërkombëtar.

“Sa ka gjasa të ndodhë një pajtim me Serbinë, në këto rrethana duket të jetë mision i pa mundur për shkak të pretendimeve të Serbisë ndaj Kosovës. Por nëse fuqitë e mëdha vendosin për një pajtim mes Kosovës dhe Serbisë, atëherë Serbia nuk ka gjasa që të mos pranojë, sepse bashkësia ndërkombëtare e bllokon në çdo aspekt. Kështu që çdo gjë është në dorën e fuqive të mëdha nëse Kosova dhe Serbia do të arrijnë marrëveshje”, përfundoi analisti politik, Faik Krasniqi për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)