Shkoi të bëhej modele, shqiptarja përfundoi prostitutë në Angli, rrëfimi: E mashtruan në disa agjenci

  • 14 June 2019 - 11:21
Shkoi të bëhej modele, shqiptarja përfundoi prostitutë në Angli, rrëfimi: E mashtruan në disa agjenci

Emisioni online “Fol me psikologen” me autore Ervisa Lulën, ka trajtuar rastet e dhimbshme të 2 grave shqiptare. Një vajzë 23-vjeçare nga një fshat verior, pasi vendos t’i japë fund martesës filloi përpjekjet për të realizuar ëndrrat e saj për t’u bërë modele. Persona të ndryshëm të agjencive të modës në Shqipëri e mashtruan duke e çuar jashtë në disa agjensi të cilat nuk merreshin me modeling, por e futën në botën e prostituimit.

Pas shumë peripecive kjo vajzë e gjen veten në Britaninë e Madhe dhe pjesë të një grupi trafikantësh ndërkombëtarë droge. Pasi mbetet edhe shtatzënë ajo zhduket. Historinë e saj në studio e ka sjellë aktivistja e shoqërisë civile, Nertila Haxhia e cila e kishte takuar 23-vjeçaren gjatë vizitës së bërë në Angli së bashku me shumë gra dhe vajza të tjera shqiptare të trafikuara atje.

Haxhia rrëfen se si shpëtoi dhe si është jeta e kësaj vajze sot duke theksuar se shumë shpejt emrin e saj mund ta dëgjojmë në mbarë botën të afirmuar në fushën e modës. Një tjetër histori po aq e dhimbshme është ajo e Blerinës nga Tirana e cila ka kërkuar ndihmën e shoqatës “Në dobi të gruas shqiptare” pasi është dëbuar nga Anglia 4 vite më parë, por 2 fëmijët i janë marrë dhe janë mbajtur atje forcërisht.

E pafuqishme për të kërkuar të drejtat e saj si nënë dhe në pamundësi për të shkuar në Angli ajo ka kërkuar ndihmë. Nertila Haxhia ka marrë përsipër ndjekjen e çështjes së saj, në studion e “Fol me psikologen” ajo jep lajmin e mirë për Blerinën dhe rrugët që do të ndiqen që ajo të takojë më në fund fëmijët e saj.

(Kosova Sot Online)