Rama e ftoi për reflektim, përgjigjet Meta: Dekreti mund të gjykohet edhe nga gjykata e Skraparit, presidenti nuk ndalon askënd që të çmendet, por...

  • 14 June 2019 - 11:28
Rama e ftoi për reflektim, përgjigjet Meta: Dekreti mund të gjykohet edhe nga gjykata e Skraparit, presidenti nuk ndalon askënd që të çmendet, por...

“Dekreti mund të gjykohet edhe nga gjykata e Skraparit që nuk ekziston. Presidenti nuk ndalon askënd që të cmendet”.

Kështu ka deklaruar sot kreu i shtetit, Ilir Meta, teksa i është përgjigjur interesit të medias, pyetur për rezolutën me 100 vota të miratuar një ditë më parë nga Kuvendi kundër dekretit të tij që anulon 30 qershorin si datën e vendoreve.

“Presidenti është zgjedhur nga parlamenti jo nga ky, nga një parlament plotësisht legjitim, por Presidenti i takon Republikës dhe Republika i takon vetëm shqiptarëve, besoj se jam shumë i qartë”- tha Meta, pyetur nga media, nëse ka reflektuar sipas mesazhit të dhënë një ditë më parë nga Rama në Kuvend.

Pyetur se kur do të kemi një datë për mbajtjen e zgjedhjeve, Meta ka dhënë këtë përgjigje:

“Sa më parë të jetë e mundur, unë do punoj me shumë qetësi dhe me shumë përgjegjësi, dekreti është në fuqi është i detyrueshëm për të gjithë, presidenti mban parasysh me shumë vemendje cdo institucion që shkel ligjet. Dekreti mund të gjykohet edhe nga gjykata e Skraparit që nuk ekziston dhe presidenti nuk ndalon askënd që të cmendet. Perkundrazi i fton te gjithe qe te izolojme cdo te cmendur qe ne kete dite te dhurimit te gjakut ben thirrje per gjera te ndryshme”.

Në fund, Meta ka bërë një thirrje dhe një paralajmërim për këdo që sipas tij ecën në rrugën e papërgjegjshmërisë.

“Shqipëria ka nevojë për zgjedhje të lira e të ndershme se vetëm ato sigurojnë çeljen e negociatave. Dekreti është në fuq, i zbatueshëm, i detyrueshëm për të gjithë, kush dëshiron të ecë në rrugën e paligjshmërisë të vazhdojë është e drejta e tij, presidenti ka të drejtë të bëjë thirrje cdo ditë për reflektim”.

Çfarë pasojash do të kenë ata që ecin në rrugën e paligjshmërisë?

Ata do të kenë pasojat që kanë ata që do të provokojnë paqen sociale dhe sistemin demokratik në vend.

(Kosova Sot Online )