Denoncimi i rëndë: Ajo që ndodhi në ceremoninë shtetërore ishte një turp

  • 14 June 2019 - 15:02
Denoncimi i rëndë: Ajo që ndodhi në ceremoninë shtetërore ishte një turp

Gjatë ceremonisë shtetërore për ndër të 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, asnjëri nga liderët e shtetit nuk e foli asnjë fjalë për kontributin e madh historik për liri e pavarësi të ish presidentit, Ibrahim Rugova dhe Komandantit legjendar, Adem Jashari.

E sipas analistit politik, Gani Qarrit, kjo është një turp për liderët shtetërorë. Qarri ka kritikuar edhe mos pjesëmarrjen e liderëve kryesor politikë opozitar, Isa Mustafës dhe Albin Kurtit dhe mosdhënien e fjalës për liderët e vendeve të rajonit që ishin pjesëmarrëse në këtë ceremoni.

Image
Gani Qarri

“Në manifestim përveç ish udhëheqësve kryesor të SHBA-s dhe zëvendës ndihmës sekretarin amerikan, Matthey Palmer, mori pjesë edhe Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta e kryeministri Edi Rama, si dhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, por për çudi as Ilir Metës dhe as z. Mesiq nuk iu dha fjala, megjithëse sidomos Stipe Mesiq ishte protagonisti kryesor dhe njeriu i dorës së parë që kishte shumë për të thënë për kriminelin Millosheviq dhe Serbinë e udhëhequr nga ai. Sido qoftë kulmi i injorimit ndodhi me harresën për emblemat e lirisë dhe historisë së Kosovës, Ibrahim Rugova e Adem Jashari”, ka thënë Qarri për “Kosova Sot Online”. 

“Po këtë ditë të shënuar nga pushtetarët e inkriminuar të vendit Hashim Thaçi e Kadri Veseli, u harruan tërësisht dhe nuk u përmend fare lufta, qëndresa dhe flijimi biblik i Adem Jasharit bashkë me familje, as miqësia e përhershme me SHBA dhe veprimtaria shumëvjeçare e Ibrahim Rugovës, përkundër kontributit të tyre jetik për çlirimin dhe shtetësinë e Kosovës. Për aq më tepër, egoizmi i Hashim Thaçit e Kadri Veselit shkoi deri atje sa që edhe në ceremoninë e 20 vjetorit të çlirimit të Kosovës, megjithëse ishte i pranishëm në ceremoni, nuk iu dha fjala as emblemës aktuale të Familjes Jashari bacës Rifat, gjë që është skandal më vete i politikanëve të inkriminuar Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit “, ka përfunduar Qarri për “Kosova Sot Online”.

(Kosova Sot Online)