Institucioni i BE-së që vendos për vizat mblidhet me 18 qershor, do t’i kërkojë Kosovës heqjen e taksës

  • 14 June 2019 - 15:16
Institucioni i BE-së që vendos për vizat mblidhet me 18 qershor, do t’i kërkojë Kosovës heqjen e taksës

Politika e zgjerimit të Bashkimit Evropian do t’i bëjë bashkë ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare me 18 qershor të këtij viti. Përveç kësaj, ata do të diskutojnë edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor, respektivisht problemin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Një draft me konkluzione ka arritur ta sigurojë Radio Evropa e Lirë, që do të diskutohet në takimet e ministrave. Pas miratimit të tyre në nivelin ministror, ato gjithashtu pritet të konfirmohen në takimet e radhës në BE, që do të mbahen me 20 dhe 21 qershor.

Nga këto takime do t’iu dërgohet një mesazh i qartë Kosovë dhe Serbisë, që të rinisin sa më shpejtë dialogun, duke vlerësuar se status-quo nuk është e qëndrueshme.

Ndër të tjera ministrat e Jashtëm do të theksojnë se arritja e një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve është vendimtare që Kosova dhe Serbia të ecin përpara.

Gjithashtu në përfundimet që pritet të nxirren bazuar në draft, do të jetë edhe kërkesa për zbatimin e marrëveshjeve të arritura në Bruksel.

“Këshilli i Ministrave do të shpreh keqardhje që nuk është bërë progres për zbatimin e marrëveshjes të mëparshme në dialog, përfshirë Draft Statutin e Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, Marrëveshjen për Menaxhimin Integruar të Kufirit (IBM), dhe zbatimin e Marrëveshjes për Energji”, shkruhet në draftin e siguruar nga rel. 

Në këtë draft, do të ketë edhe porosi për secilin vend veç e veç.

Kosovës do t’i kërkohet nga Këshilli i Ministrave që të heq urgjentisht taksën ndaj produkteve me origjinë serbe dhe boshnjake.

Veprime të tilla siç shkruhet në draft “minojnë bashkëpunimin rajonal, duke përfshirë edhe zonën e ekonomike rajonale”.

Gjithashtu do të ngritën shqetësime për punësimet partiake, dhe të personave që janë të dënuar për krime lufte.

“Këshilli është i shqetësuar për ndërhyrjen politike në punësime pa merita dhe shpreh keqardhje për emërimin e të dënuarve për krime lufte në pozita zyrtare, gjë që është në kundërshtim me vlerat evropiane”, potencon draft dokumenti.

Konkluzionet që do të miratohen do t’i  kërkojnë kërkojnë autoriteteve të Kosovës vendosmërinë për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Ministrat e jashtëm do të ngrenë shqetësime edhe për situatën në veri të Kosovës, e cila sipas tyre është “një sfidë e veçantë  për shkak të problemeve me krim të organizuar, korrupsionit dhe lirisë së shprehjes”.

Autoriteteve të Prishtinës do të kërkohet që të vazhdojnë angazhimin e tyre për të bashkëpunuar me Gjykatën Speciale dhe për të treguar përpjekje të vërteta për të garantuar sundimin e ligjit, liritë themelore, drejtësinë dhe pajtimin.

“Kuadri ligjor ekzistues lejon hetimin dhe ndjekjen e duhur të të gjitha krimeve të dyshuara të luftës” thuhet ndër të tjera në draft.

Këshilli i Ministrave është institucioni ku vendoset në agjendë dhe votohet edhe liberalizimi i vizave për Kosovën.

(Kosova Sot Online)