Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë mund të jetë e përjetshme

  • 14 June 2019 - 19:15
Haradinaj: Taksa ndaj Serbisë mund të jetë e përjetshme

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se marrëdhëniet me Serbinë nuk janë për me zgjidh çështjen e kufirit, por për të zgjedhur çfarë marrëdhëniesh duan të kenë dy shtetet. Sipas tij, nëse Serbia vazhdon të refuzojë shtetin e Kosovës, atëherë shteti i Kosovës do të vazhdojë taksën 100% ndaj produkteve serbe dhe sipas tij, kjo taksë mund të jetë përjetshme.

Kryeministri i vendit ka thënë se duhet të zgjidhet marrëdhënia bilaterale Kosovë-Serbi, që sipas tij kjo nuk ka të bëjë me statusin e Kosovës, me kufijtë, por me marrëdhënie diplomatike.

“Çka ka mbet me zgjedh me Serbinë, ka mbet me zgjedh çfarë marrëdhëniesh do të kemi, a duam të njihemi reciprokisht apo jo, nëse duam me u njoft, nënkupton me vendos marrëdhënie diplomatike, me vendos marrëdhënie tregtare, me i sqaruar çështjet e të kaluarës, të pagjeturit, dëmet e luftës, ose nëse nuk duam me u njoft reciprokisht , duam me u refuzu, refuzohemi, po atëherë nuk mundesh me shit në tregun e Kosovës, atij që ia refuzon ekzistencën nuk mundesh me ja marr tregun dhe kjo mundet me qenë e përjetshme. Pra nëse Serbia refuzon ekzistencën tonë, të cilën e kanë pranuar jo vetëm populli i Kosovës, por edhe vendet me të respektuara, si Amerika, vendet e BE-së, pse ne me ia jep tregun, na refuzon ekzistencën. Ne po kërkojmë me ecë përpara me një marrëveshje kornizë, me u ditë për çka kemi me fol, jo me na befasuar dikush”, tha Haradinaj.

Ai tha se është e rëndësishme të sqarohen marrëdhëniet me Serbinë, meqë duan që kohën më të madhe të ja kushtojnë hapjeve të punës dhe qeverisjes së mirë.

Këto deklarata, kryeministri i Kosovës i bëri sot gjatë përurimit të Shtëpisë së Kulturës në Obiliq.

Sot, në Ditën e Çlirimit të komunës së Obiliqit, Haradinaj uroi për finalizimin e projektit të Shtëpisë së Kulturës “Xhavit Haziri”, ndërkohë foli edhe për ligjin për Obiliqin.

Ai i bëri thirrje KEK-ut që të respektojë marrëveshjen me Qeverinë, për punësimin e banorëve të Obiliqit.

Në ceremoninë e përurimit të Shtëpisë së Kulturës, projekt ky i cili ka kushtuar rreth 900 mijë euro, u tha se objekti do të shërbejë për të gjithë artistët.

Kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi foli për të arriturat në këtë komunë, ndërkohë për Shtëpinë e Kulturës, tha se do t’u shërbejë të gjithë artdashësve.

“Sot për nderë të ditës së çlirimit dhe heroit kombëtar Xhavit Haziri, po bëjmë inagurimin e Shtëpisë se Kulturës me emrin e heroit kombëtar Xhavit Haziri. Kjo shtëpi do të ofrojë mundësi për te gjithë ata që e duan kulturën, këngën e vallen, teatrin dhe artin në përgjithësi. Urime, ta nderojmë dhe mbajmë në zemër heroin tonë kombëtar Xhavit Haziri, dhe ta ruajmë me kujdes ketë objekt, sepse e bëmë me kaq vështirësi”, tha Gashi.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi uroi të ketë sa më shumë aktivitete në këtu, dhe ta gëzojnë ansamblet, meqë siç tha ai është një prej objekteve më të bukura.

“Në këtë jubile, komunës dhe qytetarëve u ofrojmë edhe një objekt të bukur, një godinë e cila i ka munguar, dhe natyrisht kjo më gëzon për faktin se gjatë vizitës që kisha para 5-6 muajsh me kryetarin, u dakorduam që të kemi një dinamikë më të shpejtë të punimeve dhe ta përfundojmë, dhe jam shumë i lumtur sot që bashkë me investimin prej 900 mijë euro e përuruam një prej objekteve më të mëdha në komunën tuaj”, tha ai.

(Kosova Sot Online)